Grabitja e Rinasit po vijon të japë efekte në zhvlerësimin e valutave. Pasi mori veten për disa ditë, euro dhe monedhat e tjera kryesore i janë rikthyer rënies. Një euro u këmbye sot me 123.66 lekë, me një rënie prej 0.17 lekësh në krahasim me fundin e javës së kaluar. Dollari ra me 0.14 lekë, ndërsa më e fortë ishe rënia e paundit britanik dhe frangut zvicerane, përkatësisht me 0.39 dhe 0.78 lekë.
Ekspertët e këmbimit valutor shprehen se valutat po bien për shkak të bllokimit të transferimit të valutës nga bankat tregtare jashtë vendit. Kompania ajrore Austrian Airlines e ndërpreu shërbimin e transportimit të parave të bankave nga Shqipëria drejt Austrisë në datën 10 prill, një ditë pas vjedhjes në barkun e avionit të një shume prej rreth 6.5 milionë eurosh, pasi grabitësit arritën të çanin me lehtësi perimetrin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend.
Si rrjedhojë, pohojnë aktorët e tregut valutor, bankat nuk po tërheqin valutë nga tregu dhe kjo ka krijuar një tepricë të valutës në treg. Sa të zgjidhet ky ngërç në treg do të reflektohet një lloj amullie.
Gjithashtu, ekspertët argumentojnë se për shkak se kjo fundjavë përkoi edhe me pushimet e pashkëve katolike nuk është ndjerë shumë rënia e euros dhe se po fillon të ndihet në treg një forcim i lehtë të valutës.