Shqipëria vjen e fundit në klasifikimin e orëve që kalojnë studentët në bankat e shkollave. Mesatarisht gjysma e vendeve të Evropës zhvillojnë 170 deri në 180 orë mësimi, ndërsa pjesa tjetër varion nga 181 në 190 orë, shifra këto të marra nga raporti i fundit i Eurydice me titullin Organizimi i kohës së shkollës në Evropë, për arsimin fillor dhe të mesëm të përgjithshëm.
Të parët që kthehen në klasë pas pushimeve verore janë gjermanët, ku dita e parë e shkollës është 1 gusht. Sivjet, viti shkollor ka nisur në datën 3 shtator në 19 vende të Evropës. Ndërsa në vendet e tjera (Shqipëria, Italia, Portugalia, Spanja, Bullgaria, Luksemburgu dhe Turqia) ka nisur nga mesi i shtatorit, shkruan “ScanTV”.
Në Maltë fëmijët kthehen në shkollë në fund të muajit shtator, ndërsa vlen të theksohet se në vende si Austria, Gjermania, Spanja, Holanda, Zvicra dhe Italia, fillimi dhe fundi i vitit shkollor ndryshon në mënyrë të dukshme sipas rajoneve.
Ndërkohë në lidhje me pushimet verore numri i javëve varion nga shteti në shtet. Duke nisur me 6 javë në Gjermani, Holandë, Britaninë e madhe dhe Lihtenshtajn, dhe kaluar më pas me 13 javë në Shqipëri, Letoni, Portugali, Turqi, Itali, e duke përfunduar me Bullgarinë me 15 javë për arsimin privat.
Veç pushimeve verore, Shqipëria ka pushimet e dimrit që zgjasin zakonisht 2 javë, ato pranverore (Pashkët etj) me rreth 1 javë në 19 vende të Evropës. Sigurisht, sipas vendeve dhe festave përkatëse (fetare ose të tjera) variojnë dhe ditët e pushimit për studentët.