Arbëri

Haradinaj thotë se BERZH-i konfirmoi mbështetjen për projekte që zhvillojnë ekonominë në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti, me të cilin ka biseduar për projektet që janë duke u realizuar dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BERZH.

Siç njofton kumtesa nga kryeministria, gjatë takimit Haradinaj ka falënderuar presidentin Chakrabarti dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për bashkëpunimin dhe përkrahjen e projekteve konkrete zhvillimore për Kosovën si dhe projekteve që ndërlidhen me Integrimin Ekonomik Rajonal, të financuara nga ana e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Haradinaj ka shprehur zotimin e Qeverisë së Kosovës dhe përkushtimin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për realizimin e projekteve infrastrukturore, përfundimin e autostradës Prishtinë - Merdare, investimet në rehabilitimin e rrjetit hekurudhor, përfshirë Linjën Fushë Kosovë-Podujevë Merdare, studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore Prishtinë - Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, përfundimin e procedurave për rrugën Kijevë – Pejë dhe fillimin e implementimit të këtij projekti.

Duke kërkuar mbështetjen e mëtejme të BERZH-it, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar presidentin Chakrabarti për prioritetet e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, Agjendën e Reformave Evropiane, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, dhe çështje të tjera me rëndësi për vendin.

Në takim u diskutua edhe për fillimin e realizimit projektit të unazës së Prishtinës, trajtimin e ujërave të zeza, procesin e privatizimit të Telekomit, investimet në prodhimin e energjisë së ripërtritshme dhe projektet tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturën e qyteteve të tjera të Kosovës.

Ndërkaq, Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, duke vlerësuar progresin e Kosovës, tha se BERZH-i do të vazhdojë mbështetjen e projekteve të cilat ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe procesin e integrimeve rajonale.