Shoshi thotë se në Francë dështuan ta mbronin tërësisht “Notre Damen”, reagimet ishin të vonshme

Shoshi thotë se në Francë dështuan ta mbronin tërësisht “Notre Damen”, reagimet ishin të vonshme

16 April 2019 17:35

Sali Shoshi, drejtor i degës në Kosovë të ChwB-së, ka folur pas incidentit të djeshëm në Paris të Francës, më konkretisht zjarrit që shpërtheu në katedralen “Notre Dame”

Pavarësisht se Shoshi në Express Intervistën në KTV shprehet i bindur se ky monument do të rimëkëmbet, thotë se pati dështim për ta shpëtuar atë të mos digjet thuajse në tërësi.

“Zjarri gjithmonë është rrezik, plani që duhet të kishin në Francë, dështoi. Reagimi ishte me vonesë. Po flasim për një ndërtesa e cila është mbi 850 vjet dhe në listat e trashëgimisë. Kjo ishte humbje e madhe për njerëzimit, por edhe mësim që monumentet duhet të kenë planin adekuat për menaxhim të zjarrit. Zjarri gjithmonë vjen papritur dhe mund të na zë të papërgatitur”, tha Shoshi.

Shoshi ka thënë se “Notre Dame” është ikonë e Francës dhe i ka mbijetuar edhe revolucionit francez.

“Besoj se s’ka dilemë nëse është vlerë apo jo. Dilema ka në menaxhimin e rreziqeve. Çdo monument duhet të ketë plane për gjëra të tilla, jam befasuar dje se si dështuan ta mbronin qysh në fillim”, tha ai.

Ai foli për stilin e veçantë që ka “Notre Dame”, vlerat historike që lidhen me periudha të ndryshme të Francës, si ai i Bonapartës, dhe tani është vlerë universale.

“Aty është pika zero e të gjitha rrugëve të Francës. Është zemra, qendra e Francës”, tha ai.

Shoshi foli edhe për renovimin e “Notre Dames”.

“Për shkak të lidhjes së popullit francez mendoj që ajo do të rinovohet shpejt. Në historinë e këtij monumenti, dita e djeshme do të jetë e shënuar sepse ka shkatërruar një pjesë të madhe të saj”, tha tutje.

Ka folur edhe për rreziqet në Kosovë që mund të ndodhin nga zjarri. Ka treguar se është një raport që shpejt do të nxirret. Aty trajtohen edhe shtëpitë e vjetra të cilat nuk ka plane në rast të zjarrit. Aty përfshihet edhe Muzeu i Gjakovës.

Shoshi tha se në Kosovë nuk ka plane për mbrojtje nga zjarri.

“Në raport kemi analizuar menaxhimin e zjarrit në rast se mund të ketë të tillë. Kemi parë edhe qasjen e vizitorëve dhe planin e evakuimit”, tha Shoshi.

“Muzeu kombëtar për fat, edhe pse është pjesë në këtë raport, nuk është shumë i rrezikuar sepse nuk është ndërtuar nga druri”, tha ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

agroni (Ferizaj).17/04/2019 16:11

Duket se ka qene Zjarrvenie e Qellimshme ne Kete Katedrale ne France.

Shto koment

Të ngjashme