Arbëri

Gjonlekaj: Njëzet vjet pas, si u formua Batalioni i Atlantikut

 

Në pranverë të vitit 1997 në Brooklyn të New Yorkut u zhvillua një mbledhje për themelimin e "Vendlindjes Thërret", që kishte për qëllim kryesor mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rikujton Gjekë Gjonlekaj, ish-gazetar i “Zërit të Amerikës” dhe veprimtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në atë mbledhje morën pjesë shumë shqiptaro-amerikanë.

Morën pjesë edhe dy përfaqësues të UÇK-ës nga Kosova, Azem Syla dhe Xhavit Haliti. Ata folën gjerësisht për organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe planet e tyre për luftën çlirimtare të vendit. Syla dhe Haliti folën për rëndësinë e "Vendlindjes Thërret". Ata më përpara kishin themeluar në vende të ndryshe të Evropës fondacione të tilla. Drejtor të këtyre fondacioneve në Evropë kishin emëruar Jashar Salihun, që ishte shumë i njohur për veprimtari patriotike. Ai nuk jeton më, por nderohet për punën e tij të shkëlqyeshme për atë luftë, e cila i solli lirinë dhe pavarësinë Kosovës. Ai kishte lidhje të ngushta me disa shqiptaro-amerkanë. Njeriu më besnik i Jashar Salihut në Shtetet e Bashkuara ishte Muharem Dovolani.