Arbëri

Me fokus në mbulimin universal shëndetësor, shënohet Dita Botërore e Shëndetit

Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë-Zyra në Prishtinë, shënoi sot Ditën Botërore të Shëndetit me temën: "Mbulimi universal shëndetësor".

Naim Bardiqi, sekretar i përgjithshëm i MSh-së, tha se e drejta për mbrojtje shëndetësore në Republikën e Kosovës si e drejtë e njeriut, është theksuar edhe në Kushtetutën e vendit.

Ai tha se planifikimi,organizimi, zbatimi dhe kontrolli i kuantitetit dhe cilësisë së mbrojtjes shëndetësore nuk është detyrë e lehtë edhe për vendet me zhvillim ekonomik shumë më të përparuar se Kosova, por MSh ka bërë përparime të dukshme në dy vitet e fundit, duke siguruar më shumë medikamente në spitale dhe në Kujdesin parësor shëndetësor, përmes menaxhimit më të mirë të proceseve, dhe duke siguruar financim të shtuar për këtë qëllim. "Po ashtu, me mbështetje të fuqishme politike, po bëhen ndryshime cilësore edhe në kujdesin parësor shëndetësor, me qëllim që çdo individi dhe familje t'i mundësohet të shfrytëzojë shërbimin cilësore të mjekësisë familjare sa më afër shtëpisë së tij...", tha Bardiqi.

Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHKP-së, tha se mbulimi shëndetësor universal do të thotë që të gjithë njerëzit të kenë qasje në shërbime shëndetësore cilësore për të cilat kane nevojë, pa u përballur me vështirësi financiare.

Ai tha se në Kosovë ka një angazhim të vazhdueshëm për mbulim universal shëndetësor, që shihet përmes disa treguesve të veçantë, siç është tendenca për zvogëlimin e vdekshmërisë së foshnjave, ulja e incidencës së tuberkulozit, përfshirja e lartë e fëmijëve në vaksinim në mbi 95%, etj.

Ardita Tahirukaj, drejtoreshë e Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, tha se qëllimi kryesor i OBSh-së është mbulimi shëndetësor i përgjithshëm, kurse shëndeti është një e drejtë njerëzore.

"Është e papranueshme që kushdo në ditët e sotme të shtyhet në varfëri, sepse duhet të paguajë për trajtimin që i nevojitet. Shtetet mund dhe duhet të krijojnë politika për minimizimin e pagesave nga xhepi, sidomos për të varfrit dhe përdoruesit e rregullt të shërbimeve shëndetësore. Kujdesi parësor shëndetësor ka rol jetik në sigurimin e qasjes së shërbimeve shëndetësore për këto grupe", tha ajo.

Një prezantim lidhur me reformat në sistemin farmaceutik në Kosovë e ka bërë Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës.