Arbëri

Protesta për 1 maj në Prishtinë e Gjilan

Descriptive Text

Në shenjë pakënaqësie me gjendjen e punëtorëve në sektorin privat, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës do të mbajë një protestë më 1 maj.

Jusuf Azemi, kryetar i sindikatës, ka bërë të ditur se protesta fillon para BSPK-së nga ora 10:00 dhe marshon deri te sheshi “Skënderbe”, ku edhe do të lexohen kërkesat e kësaj sindikate.

Po këtë ditë më 1 maj, Shoqata Sindikale Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”, nga ora 11:00 do të protestojë para selisë së Ministrisë së Kulturës, në shenjë pakënaqësie me gjendjen e tyre.

Unioni i Studentëve Pro Evropian (USPE), dega në Gjilan, me rastin e 1 Majit do të organizojë një marsh protestues, i cili ka për qëllim avokimin e të drejtave të të rinjve dhe studentëve në veçanti për punësim.

Duke ditur që në Kosovë nuk është protestuar asnjëherë për të drejtat e punëtorëve, ne po kërkojmë vetëm të na jepet e drejta e punësimit. Ne si të diplomuar të ardhshëm, nuk kemi kurrfarë perspektive, nuk dimë se çfarë na pret, por ne nuk e kemi humbur ende shpresës, për këtë arsye edhe do të protestojmë”, thuhet në njoftimin e USPE-së.

Marshi mbahet më 1 maj, në ora 11:00 para hyrjes së Universitetit “Kadri Zeka” dhe do të përfundojë para Teatrit të qytetit në Gjilan, ku do të mbahen disa fjalime.