Arbëri

Dyshime se Ilir Zeqiri në Skenderaj u vra e më pas u dogj në taksinë e tij

Afër varrezave në lagjen "Braha" të fshatit Prekaz i Epërm i Skënderajt, kanë mbetur ende pjesë të veturës së djegur të Ilir Zeqirit, 48-vjeçar.

Rreth orës 19:00 të së hënës, në Prekaz të Epërm të Skënderajt u gjet i vdekur Ilir Zeqiri në veturën e tij e cila ishte e djegur bashkë me trupin e tij. Policia dhe prokuroria në vendin e ngjarjsë kanë gjetur edhe pesë gëzhoja të plumbave. Ata pas hetimeve fillestare po e cilësojnë rastin si vrasje të rëndë e dyshimt, raporton KTV.

“Marrë parasysh gjetjet fillestare në vendin e ngjarjes dhe elementet e tjera rrethanore, sipas prokurorit të rastit, hetimet janë duke u zhvilluar mbi dyshime për vepër penale ‘vrasje e rëndë’”, thuhet në njoftimin e Policisë së rajonit të Mitrovicës.

E, në vendlindjen e Ilirit, në fshatin Kopiliq, familjarë, miq dhe të afërm të tij ia kanë dhënë lamtumirën e fundit.

Vëllai Ismajl Zeqiri, i tronditur, thotë se Iliri ishte larguar nga shtëpia në orën 4 të pasdites të së hënës për të punuar me veturën e tij si taksist.

Sipas tij, Iliri nuk kishte pasur problem me askënd dhe nuk kanë asnjë dyshim se kush mund ta ketë kryer vrasjen e të ndjerit.

Por, i ndjeri vitin e kaluar kishte dëshmuar në rastin e vrasjes së një polici në Skënderaj.

Zeqiri, më 31 janar 2018, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kishte treguar atë që kishte parë në ditën kur ishe vrarë Valon Goxhuli, në shtator të vitit 2015.

Disa muaj pas dëshmisë së Zeqirit, Maliq Birinxhiku u dënua me 21 vjet burgim për vrasjen e Goxhulit.

Ish-kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ishte i pari që kërkoi hetime të plota për vrasjen e ish-veteranit të UÇK-së.

Ilir Zeqiri ishte edhe vëllai i dëshmorit Gazmend Zeqiri, dhe ka lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijë.