11:52 - Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se vetëm duke e respektuar Kushtetutën, respektohet dinjiteti i Kosovës.
Në një postim në Facebook, Veseli ka thënë se sundimi i ligjit është parimi pa të cilin nuk mund të ecet përpara.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dinjiteti i shtetit tonë. Prandaj, duhet ta kemi të qartë se vetëm duke e respektuar këtë kushtetutë do ta respektojmë dinjitetin tonë. Sundimi i ligjit është parimi themelor pa të cilin nuk mund të ecim përpara në përmbushjen e vizionit që kemi për shtetin, e as ta mbajmë Kosovën si një vend të shpresës, të perspektivës për të rinjtë e saj dhe për të gjithë qytetarët dhe komunitetet. Sundimi i ligjit është substancë jetike e vetë qenies sonë si Komb. Kemi arritur suksese deri tani dhe mund t’i shënojmë ato me krenari, por, në rrethanat tona, duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më drejt se çdo shtet tjetër. Sepse, çmimi që dhamë dje dhe synimi që kemi sot janë të mjaftueshme për ta kërkuar këtë. Shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka vetëm një titullar: popullin e saj. Kjo është fryma e kushtetutës sonë. Është vetë e ardhmja jonë. Urime 11 vjetori i miratimit të Kushtetutës”, ka shkruar ai.
09:53 - Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se Kushtetuta e Kosovës ngërthen në vete përpjekjet shekullore të shqiptarëve për shtet e barazi ligjore. Ai ka thënë se kjo kushtetutë në 11 vjet ekzistence deri tash, është sfiduar disa herë edhe nga vetë udhëheqësit.
“Sot bëhen 11 vjet kur Kosova miratoi aktin më të lartë juridik të vendit, Kushtetutën, e cila e kurorëzoi pavarësinë tonë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ngërthen në vete përpjekjet tona shekullore për shtet e barazi ligjore dhe është garantuese e të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të vendit tonë, pa dallim gjinie, moshe e përkatësie fetare dhe etnike. Në këto 11 vite, Kushtetuta është sfiduar disa herë edhe nga vetë udhëheqësit e institucioneve, por angazhimi i të gjithë neve duhet të jetë gjithmonë në funksion të realizimit të synimeve të deklaruara në Kushtetutën e Kosovës. Gëzuar 9 Prilli - Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!” ka shkruar ai në Facebook.
09:00 - Ditën e Kushtetutës e ka uruar edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në një telegram urimi ai ka thënë se kjo është një prej ditëve më të rëndësishme për Kosovën. Mustafa ka ftuar institucionet që çdo ditë të punojnë në zbatimin dhe implementimin e akteve ligjore në Kushtetutën e Kosovës.
“Sot, bëhen 11 vite nga ratifikimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ditë është prej ditëve më të rëndësishme për Kosovën. Më 9 Prill 2008, Kosova u radhit si shumë shtete të zhvilluara që ta bëj respektimin e të drejtave të njeriut, garantimin e paqes dhe demokracisë si vlera themelore të njerëzimit. Kushtetuta është akti më i lartë politik dhe juridik i vendit tonë, garantues i të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky dokument është një akt politik për të ndërtuar dhe zhvilluar një shtet të drejtë dhe demokratik, dhe ky dokument i dha jetë pavarësisë së Kosovës. Institucionet tona duhet çdo ditë të punojnë në zbatimin dhe implementimin e këtyre akteve ligjore, që Kosova të ecë krahas shumë vendeve perëndimore”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka kujtuar të gjithë ata që flijuan për këtë ditë dhe ata që punuan në hartimin e Kushtetutës.
“Shteti i së drejtës duhet të jetë mision i të gjithë neve dhe realizimin e këtij definicioni duhet ta mundësojmë të gjithë bashkërisht që të kemi një shtet demokratik dhe të përparuar”, ka përfunduar ai.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Ditën e Kushtetutës në 11-vjetorin e saj.
Ai ka thënë se përmes këtij akti juridik-politik, para 11 vjetëve u vulos Kosova si shteti i pavarur e sovran. E ka quajtur Kushtetutën kulm të një shtëpie të përbashkët të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera.
“Qytetarët e Kosovës, kanë shkruar kapitujt e një Kushtetute moderne, me forcën e vullnetit të shprehur lirshëm, me të cilën normojnë të drejtat dhe obligimet në barazi. Njëmbëdhjetë vjet më parë, përmes aktit më të lartë juridik-politik, u vulos Kosova si shtet i pavarur e sovran, një demokraci sovrane e shumë-etnike, e re në moshë, liberale në ide dhe Perëndimore në frymën e saj. Kushtetuta e Kosovës është mburojë e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe kulm i një shtëpie të përbashkët, të shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë, mbi parimet e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Njëmbëdhjetë vjet më parë, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend, e cila hyri në fuqi më 15 qershor të vitit 2008.
Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Pjesa më e madhe e kësaj Kushtetute rrjedh nga plani i ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.
9 prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë dhe është ditë pushimi.