Arbëri

KFOR-i thotë se ushtrimet e përbashkëta ushtarake Kosovë-Shqipëri s’rrezikojnë askënd

Foto: FSK

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, ka deklaruar se ushtrimi i fundit i përbashkët i Ushtrisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është “një shembull i përdorimit të keq të retorikës”.

“Ushtrimi i përbashkët i disa pjesëtarëve të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës ka përfaqësuar trajnimet mbi aftësinë për kërkim dhe shpëtim, por u paraqit në disa media si një kërcënim i veprimeve të organizuara të dhunshme në veri të Kosovës”, tha zëdhënësi i KFOR-it për “Vecernje Novosti”, transmeton Koha.net.

Ai foli edhe për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, duke thënë se nuk ka asnjë shenjë se atje mund të vijë deri tek ndonjë veprim i njëanshëm apo i dhunshëm dhe ka vlerësuar se destabilizimi në atë pjesë të Kosovës është vetëm “spekulim” i shpërndarë nga individë dhe disa media.

“KFOR-i është plotësisht i angazhuar për mbrojtjen e të gjithë njerëzve”, deklaroi Grasso.