Pacolli takon homologët e tij në Forumin Ekonomik Botëror, kërkon të rrisin bashkëpunimin

Pacolli takon homologët e tij në Forumin Ekonomik Botëror, kërkon të rrisin bashkëpunimin

06 April 2019 16:22

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli përmes disa postimeve në Facebook ka bërë të ditur se ka takuar disa krerë shtetesh në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Jordani.

“Me ftesë mbretit Abdullahu ll, po marr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Jordani. Në këtë aktivitet të rëndësishëm do të zhvillojë takime të nivelit të lartë, në interes të avancimit të raporteve të Republikës së Kosovës me vendet tjera”, ka shkruar Pacolli.

Atje ai është takuar me homologun e tij nga Sllovakia, Mirosllav Lajcak, i cili në qershor do ta vizitojë Kosovën.

“Në Jordani, në margjinat e forumit Ekonomik botëror, zhvillova një takim me ministrin e jashtëm të Sllovakisë, Mirosllav Lajcak. Përkundër faktit që Sllovakia ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, bashkëpunimi ynë është jashtëzakonisht në rrugë të mbarë. Në jemi të përkushtuar në ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha vendet e BE-së, pse e së cilës familje synojmë që të bëhemi pjesë. Në frymën e bashkëpunimit, me ftesën time, Lajcak do të vizitojë Republikën e Kosovës në qershor të këtij viti. Gjithashtu edhe zyra jonë në Sllovaki do të hapet së shpejti”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli ka konfirmuar se është takuar edhe me ministrin e Jashtëm të Xhibutit.

“Kam pasur një takim të shkëlqyer me Ministrin e Jashtëm të Xhibutit në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror. Kosova dhe Xhibuti kanë një miqësi të ngushtë dhe Ministri i Jashtëm i tyre më siguroi për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Kosovën. E kam ftuar atë për të vizituar Kosovën dhe për të punuar ngushtë për të zgjeruar bashkëpunimin”, k a shkruar Pacolli.

Në Jordani ai ka takuar edhe homologun e tij nga Letonia, Edgars Rinkevics.

“Kënaqësi të takoj Ministrin e Jashtëm të Letonisë Edgars Rinkevics. Letonia është një partner i fuqishëm i Kosovës në BE dhe NATO. Si dy vende të vogla ata i kuptojnë sfidat që Kosova i kalon. Letonia gjithmonë ka mbështetur fuqimisht liberalizimin e vizave për Kosovën dhe Edgars më konfirmoi mbështetjen e tyre. Do të punojmë më shumë për zgjerimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike”, ka shkruar Pacolli.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka takuar edhe homologen e tij nga Panamaja, Isabel de Saint Malo de Alvarado.

Ai tha se kanë biseduar për të zgjeruar bashkëpunimin tonë dypalësh me fokus ekonominë dhe tregtinë.

“Në margjina të Forumit ekonomik botëror, zhvillova një takim të mrekullueshëm me zëvendëspresidenten dhe Ministren e Jashtme të Panamasë, Isabel de Saint Malo de Alvarado. Kosova dhe Panamaja kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Panamaja është një mbështetës i fuqishëm i Kosovës në Amerikën Latine dhe biseduam për të zgjeruar bashkëpunimin tonë dypalësh me fokus ekonominë dhe tregtinë”, deklaroi Pacolli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme