Vazhdon përplasja në Alternativë, kryesia i përgënjeshtron deklaratat e Ilir Dedës Foto: Koha

Vazhdon përplasja në Alternativë, kryesia i përgënjeshtron deklaratat e Ilir Dedës

05 April 2019 19:44

Kryesia e Partisë Alternativa, përmes një komunikate për medie, ka reaguar lidhur me deklaratat e nënkryetarit të kësaj partie, Ilir Deda, i cili të enjten në emisionin “Interaktiv” të KTV-së tha se kryetarja e partisë, Mimoza Kusari-Lila nuk di çfarë flet dhe se partia është në krizë të thellë.

Sipas tyre, dallimi në qëndrime mes kryetares Kusari-Lila dhe nënkryetarit Deda ka filluar që nga mbështetja që ky i fundit i ka dhënë delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë.

Sipas njoftimit, në kryesinë e Alternativës me shumicë votash ishte vendosur që të mos mbështetet ky delegacion pa përfshirjen e dy partive opozitare LDK dhe LVV, mirëpo një gjë e tillë nuk është përkrahur nga Deda.

Deda: Kusari-Lila nuk di çka flet, partia në krizë të thellë

Kryesia e Alternativës i ka quajtur të pabaza deklarimet e Dedës, se Alternativa është në krizë të thellë dhe se ai ka shumicën e elektoratit, pasi që sipas tyre, “ai nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet të mbajtur nga partia që nga dhjetori i vitit 2018”.

Sipas kryesisë, “Deda është duke u ballafaquar me krizë tjetër dhe humbje të ndjesisë politike në raport me Alternativën, pasi që deklaratat e tij nuk përkojnë dhe nuk paraqesin gjendjen aktuale në Alternatives”.

“Për opinionin publik dhe gjithë mbështetësit e Alternativës, Alternativa është duke kaluar periudhën më kompakte dhe të konsoliduar që nga themelimi i Partisë, gjë që tregojnë edhe aktivitetet e shumta të ndërmarra në të gjithë Kosovën dhe jashtë saj”, thekson ndër të tjera kjo parti në reagimin dërguar mediave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme