Arbëri

Bajrami: Kompromisi Kosovë-Serbi është arritur në vitin 2007

Descriptive Text

Është koha që të ulemi për të folur seriozisht njëri me tjetrin e jo përmes ndërmjetësve, ka deklaruar për FoNet kryeredaktori i “Kohës Ditore” Agron Bajrami.

Ai ka vlerësuar se ndërmjetësit gjithmonë imponojnë diçka dhe një ditë ikin nga tryeza e na lënë që ne të merremi me pasojat.

Bajrami ka theksuar se ndërmjet palës kosovare e serbe marrëveshja është e domosdoshme, ama jo çfarëdo, por marrëveshje që sjell zgjidhje të përhershme.

“Mendoj se kompromisi është arritur që në vitin 2007, vetëm se çështja është si të implementohet ashtu që të gjithë të jenë kënaqur me atë që do të fitojnë”, citon FoNet të ketë thënë Bajrami, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se është e domosdoshme që Kosova të marrë karrigen në Kombet e Bashkuara, sado që, ka shtuar, kjo nuk është kurrfarë garancie për paqe ose për funksionalitet.

Ajo është vetëm pjesë e marrëveshjes, dhe kryesorja, ka sqaruar Bajrami ndërsa këtë situatë e ka krahasuar me Bosnjë e Hercegovinën e cila është anëtare OKB-së por nuk është stabile.

Bajrami mendon se rikufizimi kurrsesi s’e bën të jetë zgjidhje e çështjes kosovare.

“Nëse duam të shkojmë në Evropë, atëherë çfarë rikufizimi? Nëse duam të gjithë, atëherë të shkojmë në Evropë. Nuk duhet të vendosim kufij të rinj, të tillë tashmë ka mjaft”, ka thënë Bajrami.

Ai është i bindur se referendumet në Ballkan shpallen atëherë kur politikanët nuk dinë, nuk guxojnë ose s’kanë ide si të marrin ndonjë vendim, dhe pastaj e gjithë kjo të shndërrohet në diçka tjetër.

Duke pasur para sysh këtë, Bajrami thekson se është me rëndësi që të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme, me anë të deklarimit të qytetarëve ose pa të. Megjithatë, ka thënë ai, në Kosovë nuk ka nevojë të mbahet referendumi, përcjell Koha.net.

Në pyetjen se ç’është Kosova për të, Bajrami përgjigjet se Kosova është atdheu, dhembja por edhe kënaqësia e tij.

“Mendoj se Kosova është më e mira dhe më e keqja në jetët tona. Shpresojmë se në të ardhmen ajo do të jetë vetëm më e mira. Për këtë edhe po punojmë”, ka përfunduar Bajrami.