Arbëri

Kryeprokurori i Shtetit dhe kryesuesi i KPK-së kërkojnë angazhim në luftimin e korrupsionit

Në kuadër të vizitave të punës nëpër prokuroritë e vendit, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, kanë qëndruar në Prokurorinë Themelore të Pejës dhe në atë të Gjakovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje thuhet se të dy krerët e lartë të sistemit prokurorial janë njoftuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, për punën, të arriturat dhe sfidat e këtyre prokurorive në hetimin dhe ndjekjen e veprave të ndryshme penale.

Duke e vlerësuar punën e deritashme dhe rezultatet e arritura në këto dy prokurori, Lumezi, ka kërkuar angazhim dhe efikasitet të mëtejshëm në trajtimin dhe luftimin e veprave të ndryshme penale, me theks të veçantë luftimin e korrupsionit, si dhe në kuadër të ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale të ketë rezultate më të mëdha në sekuestrim dhe ngrirjen e pasurisë.

Gjithashtu, gjatë këtyre takimeve, Lumezi, ka potencuar nevojën e avancimit të profesionalizmit, llogaridhënies dhe efikasitetit të prokurorëve në trajtimin e rasteve të ndryshme penale.

anën tjetër, Hyseni, ka përgëzuar të dy prokuroritë për rezultatet e arritura, duke pohuar se Këshilli Prokurorial është i fokusuar në ofrimin e mbështetjes dhe fuqizimit të integritetit të sistemit prokurorial, me qëllim të arritjes së objektivave të përcaktuara, si dhe do të vlerësojë punën dhe të arriturat e secilit prokuror, por njëkohësisht do të kërkojë edhe efikasitet dhe profesionalizëm.

Në fund, Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryesuesi i KPK-së kanë ofruar bashkëpunim dhe përkrahje për kryeprokurorët, prokurorët dhe stafin mbështetës të prokurorive përkatëse për kryerjen e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, si dhe do të angazhohen për plotësimin e nevojave me prokurorë të rinj, bashkëpunëtorë profesionalë dhe zyrtarë ligjorë në këto dy prokurori.

Takimet e tilla të krerëve të sistemit prokurorial do të vazhdojnë edhe në prokuroritë e tjera të vendit.