Cakaj në SHBA, takime me zyrtarë të lartë amerikanë Foto: MPJ e Shqipërisë

Cakaj në SHBA, takime me zyrtarë të lartë amerikanë

03 April 2019 10:04

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj ka nisur një vizitë në SHBA ku ndodhet për të marrë pjesë në Ministerialin e NATO-s, si dhe për të zhvilluar një serë takimesh dypalëshe me përfaqësues të lartë amerikanë dhe homologë të tij nga vendet aleate.

Në ditën e parë të qëndrimit në Washington, Cakaj u takua me senatorin Ron Johnson, Kryetar i Nënkomitetit të Senatit për Evropën dhe Bashkëpunimin e Sigurisë Rajonale si dhe kongresmenin Lee Zeldin.

Gjatë këtyre takimeve, zyrtarët e lartë amerikanë diskutuan me Ministrin rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, përpjekjeve të saj në kuadër të reformave për hapjen e negociatave si dhe rolin e rëndësishëm që ajo luan në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të këtyre takimeve ishin gjithashtu përgatitjet e Shqipërisë për marrjen e kryesisë së radhës së OSBE-së në vitin 2020, lobimin e saj për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurisë së OKB-së dhe angazhimet e saj në kuadër të Aleancës Atlantike të Veriut.

“Senatori Ron Johnson dhe Kongresmeni Lee Zeldin, vlerësuan dhe mbështetën masat e marra nga Shqipëria përsa i përket reformave që do t’i hapnin rrugën fillimit të negociatave në qershor 2019. Zyrtarët amerikanë shprehën gatishmërinë e tyre maksimale për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian dhe për të rritur kontaktet dypalëshe në dobi të avancimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, thotë MPJ-ja përmes një njoftimi dërguar mediave.

Në takimet me ligjvënësit amerikanë, ministri Cakaj shprehu falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja ka dhënë dhe vazhdon të japë në proceset e konsolidimit institucional dhe të shtetit ligjor në Shqipëri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme