Arbëri

Kosova e gatshme ta avancojë pozitën e komuniteteve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së hënë është takuar me komisionarin e lartë të OSBE-së, Lamberto Zannier dhe shefin e këtij misioni në Kosovë, ambasadorin Jan Braathu, ku kanë biseduar për integrimin e komuniteteve jo-shumicë.

Në një postim në Facebook, i pari i Qeverisë ka thënë se Kosova ka shënuar progres dhe është e gatshme për avancimin e mëtejmë të pozitës së komuniteteve.

“Për integrimin e plotë të komuniteteve jo-shumicë, si dhe për sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre në Kosovë, sot diskutuam me komisionarin e lartë të OSBE-së për pakicat kombëtare, Lamberto Zannier dhe shefin e këtij misioni në vendin tonë, ambasadorin Jan Braathu. Komunitetet jo-shumicë në Kosovë, si kategori kushtetuese, janë të përfaqësuara në të gjitha institucionet e vendit. Kosova ka shënuar progres dhe është e gatshme për avancimin e mëtejmë të pozitës së komuniteteve”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Koha.net.