Arbëri

Në mbledhjen e parë përbërja e re e KQZ-së mori vendim për ndarjen e mjeteve për subjektet politike

Vetëm një ditë pas kërkesës eksplicite të Ambasadës së SHBA-së për zhbllokimin e Komisionit Qendror Zgjedhor, presidenti i Kosovës ka dekretuar 8 prej 10 anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Betimin para Thaçit e kanë bërë Adnan Rrustemi e Nazlie Bala të Vetëvendosjes, Sami Hamiti e Florian Dushi të LDK-së, si dhe nga komunitetet, Alfred Kinolli, Qemajl Kurtishi, Erxhan Shpat dhe Stevan Veselinoviq.

Por, në dekretim, nuk qenë të pranishëm dy përfaqësuesit e koalicionit PAN.

I nominuari nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, i ka thënë Kohavisionit se arsyeja e mospjesëmarrjes në dekretim ishte fakti se po presin që partnerët e tjerë të koalicionit të përcaktohen për përfaqësuesin e tyre.


Gashi ka theksuar se, megjithatë, dekretimi do të ndodhë dhe PAN-i do ta gjejë një zgjidhje për këtë.

Pa u bërë dy orë nga dekretimi i tyre, të tetë anëtarët e rinj të udhëhequr nga kryetarja Valdete Daka, kanë mbajtur mbledhjen e parë ku u miratua vendimi për caktimin e lartësisë së mjeteve nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2019.

Ky fond përfshin 4 milionë e 200 mijë euro në total, të cilat do t’u ndahen subjekteve politike, por jo edhe Partisë Socialdemokrate.

Koalicioni PAN, me të gjitha partitë tjera të vogla, ka më shumë se 1 milion e 228 mijë euro, Lëvizja Vetëvendosje 1 milion e 8 mijë euro, e pasuar nga LDK-ja, me më shumë se 900 mijë euro.

KQZ-ja miratoi edhe rekomandimin për Zyrën e Presidentit të Kosovës, për kandidatin e radhës për deputet të Kuvendit të Kosovës, sipas të cilit, deputeti Nexhat Çocaj nga PDK-ja, zëvendësohet nga Rafet Rama.

Me rifuksionalizimin e Komisionit Qendror Zgjedhor, 35 asamblistë të rinj janë certifikuar sot në të gjitha komunat e Kosovës.

Më së shumti prej tyre janë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, gjithsej janë zëvendësuar 13 asamblistë në mesin e të cilëve edhe zëvendësguvernatori Sokol Havolli, i cili në zgjedhjet e fundit komunale kishte fituar mandatin për asamblist të Prishtinës me LDK-në.

Tetë asamblistë janë nga PDK-ja, në mesin e tyre është edhe zëvendësimi i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, që në Asamblenë Komunale të Prizrenit do të zëvendësohet nga Islam Ukaj.

Vetëm tani është arritur të bëhet certifikimi i asamblistit që do të zëvendësojë kreun e Iniciativës Qytetare SDP-së, Oliver Ivanoviq, që u vra në janarin e vitit 2018, e vendin e tij në Asamblenë Komunale në Mitrovicën Veriore do ta zërë Dushan Milutinoviq.