Arbëri

Marrëveshja eventuale përfundimtare Kosovë – Serbi e lë në hije Asocioacionin

Foto: Koha

Paralajmërimi i mundësisë së një marrëveshjeje eventuale përfundimtare në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndonëse ky proces ka ngecur aktualisht, ka bërë që çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si pjesë kryesore e marrëveshjes ndërmjet dy palëve në Bruksel, të heshtet tash për tash, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që në kuadër të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte menduar si një zgjidhje që do të çonte drejt normalizimit e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Por, sipas tij, shpërfaqja e ideve për ndryshimin e kufirit Kosovë-Serbi, si zgjidhje e mundshme e kontestit mes dy vendeve, e ka lënë nën hije formimin e Asociacionit, si zgjidhje të mundshme. Kjo ide nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është quajtur si “korrigjim i kufirit”, ndërkaq nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si “përcaktim i kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”.

Mendim të ngjashëm ka edhe njohësi serb i zhvillimeve politike, Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson që nuk mund të thuhet krejtësisht me siguri se palët kanë hequr dorë nga formimi i Asociacionit, por sipas tij, heshtja e të dy palëve lidhur me këtë çështje, flet për atë se formimi i Asociacioni nuk është në plan të parë.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të formohet vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës. Por, të pyetur nga Radio Evropa e Lirë, nëse ka lëvizje në drejtim të konkretizimit të Asociacionit, zyrtarët e kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë refuzuar të flasin për këtë temë.

Në anën tjetër, zyrtarët e Listës Serbe, subjekt ky politik i cili përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, nuk kanë qenë të qasshëm.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.