Arbëri

Ambasadori zviceran: Ju paguani veteranë të rrejshëm, ne investojmë në projektet tuaja – s’ka logjikë

Foto: Ksp

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet është treguar i ashpër sot në Skenderaj me politikanët kosovarë. Ai ka përmendur numrin e veteranëve, duke thënë që nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm, e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët.

Nga Skenderaj ai foli edhe për shërbyesit civilë në Kosovë, ku tha se numri i tyre është tri herë më i madhe se në vendet e rajonit. Kadri Veseli ishte aty ndërsa edhe ai foli për veteranët.

Ambasadori Lebet foli kështu në përurimin e ujësjellësit në disa fshatra të Skenderajt, duke thënë se nuk është normale që qeveria prej nga vjen ai të financojë projekte të tilla, ngase sipas tij, Kosova ka para, por nuk duhet keqpërdorur.

Ai ka thënë se vlera e projektit të ujësjellësit kushton 2.5 për qind të vlerës së ndarë për pensionet e veteranëve. Këtu ai ka thënë se ka shumë veteranë të rrejshëm që marrin pensione pa meritë.

“Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financoi ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. Por, veteranët e vërtetë të cilët kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhen, jo për të financuar veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit. Mjaftë është bërë për të përmirësuar administratën publike, mirëpo ende duhet të punohet në ketë drejtim”, tha ai, raporton Ksp.

Kësaj deklarate të ambasadorit i ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se në vendin ku po përurohet ujësjellësi, ka shumë luftëtarë të vërtetë të cilët kanë qenë në UÇK.

“Këtu ku sot do të bëhet përurimi i këtij investimi i cili është shumë i madh, i nderuari ambasador, ka pasur luftëtarë të cilët kanë qenë vetëm luftëtarë të vërtetë të UÇK-së. Ka shumë heronj kjo zonë, por ka edhe njerëz të cilët japin kontribut edhe sot paqes. Ky vend ka ditur t'i japë luftëtarë, por edhe politikanë shumë të mëdhenj, sot e kemi edhe presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pikërisht nga ky regjion”, tha ai.