Arbëri

Nisma e pakënaqur që do të mbetet jashtë KQZ-së

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi është shprehur i pakënaqur me pretendimet që Nisma do të mbetet jashtë Komisionit Qendror Zgjedhor, sipas tij presidenti Hashim Thaçi duhet të veprojë mbi atë që ka deklaruar më herët, që secilit grup parlamentar në Kuvendin e Kosovës të ketë nga një anëtar.

Në një konferencë për media, Sherifi adresoi kritika për presidentin Hashim Thaçi, që siç thotë ai, ka dërguar kërkesë për PAN-in, që sipas tij nuk ekziston pasi në Kuvend nuk ka PAN, por grupe parlamentare të veçanta të partive politike dhe se këtë çështje do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, askush nuk ka të drejtë që në emër të PAN-it të dërgojë anëtarë në KQZ.

“Më 14 dhjetor kam marrë një shkresë nga Zyra e Presidentit ku më thuhet të delegoj një anëtar për në KQZ. Presidenti u ka dërguar gjitha grupeve parlamentare për ftesë, nga ai moment kemi pritur që ai të dekretojë anëtarin e Nismës, ose të tregojë se a do të dekretojë apo jo. Ne besojmë që presidenti të veprojë ashtu siç ka filluar procedurën që çdo grup parlamentar të ketë nga një anëtar në KQZ. Unë nuk di kujt i ka dërguar kërkesë presidenti për anëtarë të PAN-it, pasi PAN nuk ekziston në Kuvendin e Kosovës. Gjithsesi se këtë çështje do të dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai, raporton kp.

Sherifi theksoi se nëse vendoset në këtë mënyrë trupa e KQZ-së, do të luftojë që sa më shpejt të shkojë në zgjedhje, në mënyrë që jetëgjatësia e kësaj anëtarësie të jetë sa më jetë shkurt