Donikë Dobruna është gjyqtare e re në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Të martën, ajo ka folur se si ligji është i barabartë për të gjithë dhe nuk do të duhej të kishte diskriminim në asnjë formë për gratë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se çështja e grave nuk është më temë tabu por sipas tij, çështja e trashëgimisë vazhdon të jetë problem, raporton KTV.
Kurse, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ka përmendur si shembull të mirë Policinë e Kosovës për respektim të barazisë gjinore dhe e ka sfiduar Qeverinë që të marrë këtë shembull dhe të rrisë numrin e grave në kabinet qeveritar.
“Kur njerëzit e dëgjojnë fjalën integritet, mendojnë për ndershmërinë, por ekziston dhe një fjalë tjetër që ka të bëjë me bashkimin, paanshmërinë plotësinë. E Kosova nuk është e plotë, 50 përqind e popullatës së saj pengohet në shoqëri. Kur gratë janë pjesë e procesit vendimmarrës, rrit produktivitetin e një vendi, kur gratë shërbejnë në qeveri ato janë më pak të korruptuara”, ka thënë Kosnett.
Komentet janë bërë në Javën e Gruas, organizim i Institutit Kombëtar Demokratik.
Gjatë diskutimeve që do të mbahen gjatë kësaj jave, fokusi do të jetë në avancimin e rolit të gruas në Kosovë.