Arbëri

Familja Berisha nga Suhareka tash 20 vjet kërkon trupat dhe drejtësi për viktimat e masakrës

Në heshtje ka qenë kompleksi memorial për të vrarët e familjes Berisha në Suharekë, mëngjesin e së martës.

i papërfunduar, e në disa pllaka druri të rrëzuara, shihen emrat e viktimave të vrara në masakrën e 26 marsit të vitit 1999, që ishin gjetur në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë, raporton KTV.

Pasdite, një numër familjarësh dhe banorë nga Suhareka, erdhën për t’i nderuar viktimat.

Aty ishte edhe Shyhrete Berisha, një nga tre të mbijetuarit e masakrës, që me shumë kujdes vuri lule pranë varreve të familjarëve të saj.

Berisha, një prej dëshmitareve në procesin kundër ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq, këtë ditë e pati shumë të vështirë edhe të shprehet për media.

Kjo ditë, emocionalisht e rënduar ishte edhe për dy të mbijetuarit e tjerë të kësaj masakre, Vjollca Berishën dhe djalin e saj Gramozin.

Dy dekada më vonë, Gramoz Berisha thotë se është e pabesueshme për ta që ka kaluar kjo kohë.

Më e rëndë bëhet për ta, pasi ende 24 anëtarë të familjes, nuk janë gjetur dhe vazhdon pritja që dikush të japë përgjegjësi për ta.

Të mbijetuarit e familjes Berisha, për përjetimet e tyre të masakrës i kanë treguar edhe kryeministrit Haradinaj, i cili pasi u ndal te pllaka përkujtimore në nderim të viktimave në këtë komunë, i shoqëroi ata në lokalin ku ishin dërguar për ekzekutim.

Ndërsa, komuna ka organizuar edhe akademi përkujtimore për 26 marsin, në nderim të viktimave civile në Suharekë.

Djali i Bajram Jahajt, Naseri, ishte vetëm 13 vjeç kur pjesëtarë të ushtrisë serbe e kishin marrë bashkë me 4 persona të tjerë, më 27 mars të vitit 1999.

Nga ajo ditë, asgjë nuk dihet për fatin e tyre.

Komuna e Suharekës është ndër më të prekurat nga lufta e fundit, me më shumë se 100 persona ende të pagjetur nga më shumë se 1600 të pagjetur në mbarë vendin, si dhe me 547 viktima civile.