Antonio Gramsci lindi në Ales, në Sardenjë, më 22 janar 1891, i katërti nga shtatë fëmijët që patën Francesco Gramsci dhe Giuseppina Marciasi. Të parët e Antonios nga ana e babait ishin me origjinë nga qyteti i Gramshit në Shqipëri, dhe mund të kenë mbërritur në Itali që në shekullin XV, gjatë diasporës të shkaktuar nga pushtimi turk.
Dokumente arkivi pohojnë se në Shtatëqindën katragjyshi Gennaro Gramsci, i martuar me Domenica Blajotta-n, zotëronte në Plataçi, komunitet arbëresh i distriktit të Kastrovilarit, toka që më pas u trashëguan nga Nicola Gramsci (1769-1824). Ky u martua me Maria Francesca Fabbricatore-n, dhe nga martesa e tyre lindi në Plataçi Gennaro Gramsci (1812-1873), që ndërmori karrierën ushtarake në xhandarmërinë e Mbretërisë së Napolit dhe, kur ndodhej në Gaeta, u martua me Teresa Gonzales-in, bijën e një avokati napoletan me origjinë spanjolle. Fëmija i tyre i dytë qe Francesco-ja (1860-1937), babai i Antonio Gramscit.
Origjina e largët shqiptare njihej nga vetë Antonio Gramsci, që megjithatë i përfytyronte më të vona, siç do t’i shkruajë kunatës Tatiana Schucht nga burgu i Turit, më 12 tetor të 1931-shit: “… unë vetë nuk kam kurrfarë race; im atë është me origjinë shqiptare (familja iku nga Epiri gjatë luftës së 1821-shit, por u italianizua me shpejtësi).Megjithatë kultura ime është italiane, kryesisht kjo është bota ime; nuk e kam kuptuar kurrë që jam i shqyer midis dy botësh. Të qenit me origjinë shqiptare nuk u vu kurrë në lojë sepse edhe Crispi ishte shqiptar, i edukuar në një kolegj shqiptar”. Në periudhën e transferimit të familjes në Sorgono (në provincën e Nuoros, Sardenjë), fillon, pas një rrëzimi, sëmundja që do t’i lërë një keqformim të pakëndshëm fizik: shpina, në fakt, do të fillojë pak nga pak duke u kërrusur ndërsa kurat mjekësore do të përpiqen më kot ta ndalin deformimin e tij. I riu Antonio thith në familje një atmosferë të vështirë, sidomos për shkak të babait të paqetë, protagonist më 1897-ën i një pezullimi nga puna dhe i një arrestimi për parregullsi administrative.
Më 1905-ën arrin sidoqoftë të regjistrohet në liceun-gjimnaz të Santu Lussurgiu, ndërsa më 1908-ën ndërron shkollë dhe shkon në liceun Dettori të Kaljarit, qytet ku praktikisht fillon të bëjë një jetë autonome. Fillon të lexojë shtypin socialist që i vëllai Gennaro i dërgon nga Torinoja. Bashkë me shumë të rinj të liceut Dettori, Gramsci merr pjesë në “betejat” për afirmimin e mendimit të lirë dhe në diskutime me karakter kulturor dhe politik. Në atë periudhë banon në një pension shumë të varfër në rrugën Princi Amedeo, dhe gjërat sigurisht që nuk ndryshojnë për më mirë kur transferohet në një pension tjetër të bulevardit Vittorio Emanuele. Kaljari, në atë kohë, një qytezë kulturalisht e gjallë, ku përhapen tharmet e para sociale që do të ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme mbi formimin e tij të përgjithshëm, si në rrafshin kulturor ashtu edhe karakterial.
Në shkollë dallohet për interesat e tij të forta kulturore, lexon jashtëzakonisht shumë (sidomos Croce-n dhe Salvemini-n), por zbulon edhe një prirje të konsiderueshme për shkencat e sakta dhe matematikën. Pasi merr diplomën e liceut, më 1911-ën fiton një bursë studimi për Universitetin e Torinos. Transefrohet kështu në atë qytet dhe regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë. Lidh miqësi me Angelo Tasca-n, socialist prej kohësh. I jeton vitet e tij universitare në një Torino të industrializuar, ku janë zhvilluar tashmë industritë e Fiat-it dhe të Lancia-s. Pikërisht në këtë periudhë trazirash të mëdha shoqërore piqet ideologjia e tij socialiste.
Në Torino frekuenton edhe mjediset e emigrantëve sardë; interesi për tokën e tij, në fakt, do të jetë gjithnjë i gjallë te ai, si në refleksionet me karakter të përgjithshëm mbi problemin e jugut ashtu edhe për sa u takon traditave dhe zakoneve. Interesat politike e shohin organizator të palodhur nismash të shumta, aq sa pas disa vitesh e gjejmë në Rusi. Martohet në Moskë me një violiniste të talentuar që do t’i japë dy fëmijë për të cilët, nga burgu italian ku më pas do të vuajë dënimin, do të shkruajë një sërë përrallash mallëngjyese të botuara me titullin “Pema e iriqit”. Ndërkohë, duke pasur hyrë më parë në Psi, bindet se i duhet dhënë jetë një partie të re, sipas direktivave të ndarjes të treguara nga Internacionalja komuniste. Në janar të 1921-shit hapet në Livorno Kongresi i 17-të kombëtar i Psi-së; divergjencat midis grupeve të ndryshme: maksimalistë, reformistë etj, e shtyjnë intelektualin italian dhe pakicën e komunistëve të shkëputen përfundimisht nga socialistët.
Në të njëjtin muaj të atij viti, në mbledhjen historike të San Markos, më 21 janar 1921, lind Partia Komuniste e Italisë: Gramsci do të jetë një anëtar i komitetit qendror. Giulia Schucht, gruaja e Gramsci-t Në fund të muajit maj Gramsci shkoi në Moskë, i caktuar të përfaqësonte Partinë Italiane në ekzekutivin e Internacionales komuniste. Por për fat të keq atje mbërriti i sëmurë. Në qershor u shtrua në një sanatorium për sëmundje nervore të Moskës. Këtu njohu një grua, Eugenia Schucht-in (të bijën e Apollon Schucht-it, drejtues i PKBS-së dhe mik personal i Leninit), violiniste që kishte jetuar disa vjet në Itali. Nëpërmjet saj njohu atë që do të bëhej gruaja e tij, Giulia Schucht-in (1894-1980). Të bashkuar në martesë më 1923-shin, nga çifti do të lindin fëmijët Delio Gramsci (më 10 gusht 1924) dhe Giuliano Gramsci (më 30 gusht 1926).
Vitet e fundit Më 1926-ën arrestohet nga policia fashiste megjithëse kishte imunitet parlamentar. Ndërkohë mbreti dhe Mussolini shpërndajnë Dhomën e Deputetëve, duke nxjerrë jashtë ligjit komunistët. Gramsci dhe të gjithë deputetët komunistë u proceduan dhe u syrgjynosën. Gramsci fillimisht në ishullin e Ustikës dhe më pas në burgun e Çivitavekias dhe Turit. Duke mos u kuruar siç duhet, i braktiset shuarjes së ngadaltë mes vuajtjesh fizike dhe morale. Antonio Gramsci vdes më 1937-ën, pas njëmbëdhjetë vjetëve burgim, pa i parë më fëmijët e tij. Në vitet e burgut shkruan 32 fletore me studime filozofike dhe politike, të përkufizuara si një nga veprat më të larta dhe të mprehta të shekullit; të botuara nga Einaudi pas luftës, njihen universalisht si “Fletoret nga burgu”, dhe gëzojnë edhe sot përkthime të panumërta dhe konsideratë shumë të lartë pranë intelektualëve të të gjitha vendeve/ Adrian Beshaj, Shqip.