Arbëri

KFOR-i i quan të rrezikshme për situatën lajmet e rreme të Drecunit

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso ka demantuar sot deklaratën e Millovan Drecunit, kryetar i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën, sipas të cilit stërvitja e përbashkët e trupave ushtarake të Kosovës e të Shqipërisë ka për qëllim frikësimin e popullit serb në Kosovë dhe se KFOR-i po hesht për këtë, transmeton Koha.net raportimin e gazetës “Danas” të Beogradit.

Grasso në një intervistë për këtë të përditshme të Beogradit tha se qëllimi i kësaj stërvitjeje ushtarake është përmirësimi i kapaciteteve për kërkim-shpëtim në terrene malore.

“Përhapja e informatave të rreme shkakton frikë ndër njerëz dhe po ashtu përbën kërcënim për krijim të ambientit në të cilin qoftë edhe një incident i izoluar mund të përshkallëzojë”, është shprehur Grasso, transmeton Koha.net.

Millovan Drecun, që ka pasur rol politik edhe gjatë regjimit të Millosheviqit, njihet për qëndrimet e tij luftënxitëse dhe antishqiptare, rikujton Koha.net.