Shala: Kompanitë të zhvillohen në rritjen e tregut dhe eksportit

Shala: Kompanitë të zhvillohen në rritjen e tregut dhe eksportit

20 March 2019 12:17

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka organizuar konferencën informuese për lansimin e “Programit për Grantet e Përputhshme (PGP)”, që është i financuar nga Banka Botërore, i cili ka për qëllim bashkëfinancimin me Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) dhe shoqatat e biznesit për fushat e standardizimit/certifikimit të produkteve si dhe shërbimet e zhvillimit të biznesit.

Ministri Endrit Shala tha se Qeveria e Kosovës ka pranuar financim nga Grupi i Bankës Botërore për Projektin e Konkurueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP)që parasheh përkrahjen e bizneseve për të përmirësuar cilësinë e produktit dhe gatishmërinë për eksport, ku përfshin financimin prej 2.3 milionë eurosh për Programin e Granteve të Përputhshme (PGP).

Shala tha se ky financim do të shërbejë shumë për kompanitë edhe në standardet ISO,q ë do ta ulin koston e bizneseve dhe shërbejnë në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve të tyre.

Po ashtu, sipas tij, standardet ISO i ndihmojnë kompanitë për të hyrë në tregje të reja, duke siguruar përputhshmërinë e produkteve dhe shërbimeve të tyre.

“Qëllimi i këtij programi të granteve është të mbështes me bashkëfinancim këto ndërmarrje me potencial eksportues për certifikimet e standardeve të produkteve dhe qasje ën shërbimet për zhvillimin e biznesit njëkohësisht edhe për trajnime. Efekti I këtyre granteve në të ardhmen është që kompanitë do t’i ndihmojë në rritjen e tregut, eksportit, të zhvillimit të produkteve të reja dhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore duke ndikuar po ashtu edhe në profesionalizmin e kompanive tona”, tha Shala, raporton KsP.

Ndërsa, U.d drejtor i përgjithshëm në KIESA, Nol Buzhala tha se ky projekt është pesë vjeçar i mbështetur nga Banka Botërore. Buzhala tha se KIESA në vazhdimësi po ofron programe mbështetëse direkte për bizneset.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë KIESA në vazhdimësi po ofron programe mbështetëse direkte për bizneset. Deri dje ka qenë afati i fundit për aplikim të kompanive kosovare për blerjen e makinerive prodhuese për rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore dhe të zëvendësohet sa do pak importi me produktet tona, ndërsa sot për produktet që i prodhojmë, që nga sot kemi një kohë deri 30 ditë që të aplikoni që ato produkte që prodhohen në vendin tonë të certifikohen dhe të standardizohen që të jenë të gatshme për tregun evropian”, theksoi Buzhala.

Ai shtoi se në kuadër të Agjencisë KIESA do të ekzistojnë edhe programe të tjera siç është organizmi i panaireve ndërkombëtare, ku shumica e kompanive janë të njohura me këtë dhe kanë pasur rastin që të marrin pjesë në ato panaire.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme