5 perditesime
20:03

Deputeti Petroviq thotë se u sulmua nga zyrtarë të Listës Serbe

Kryetari i SLS-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Slobodan Petroviq, nuk e ka pasur një mëngjes të lehtë.

Pas paraqitjes në televizionin publik, ku mes tjerash tha të ketë ofruar të dhëna për ish-ministrin Nenad Rikallo të Listës Serbe, Petroviq kishte hasur në një ish-këshilltar të Rikallos, Milan Kostiq, në një lokal të kryeqytetit.

Kostiqi, bashkë me një tjetër person, sipas Petroviqit, e kishin ofenduar.

“U ofrova te tavolina e tyre dhe i pyeta se për çka është fjala. Ai kishte një shishe xhami me ujë, e mori shishen në dorë dhe më tha se do të ma thyej kokën. Personi tjetër që ishte në tavolinë me të, u ngrit që t’i qërojë hesapet në mënyrë fizike. Në atë rrëmujë më ra telefoni dhe e mora telefonin. Mendova që të mbrohem me telefon, pasi që ai u nis të më sulmojë me shishe. Ai vazhdoi të më fyente dhe kërcënonte. E thirra policinë, që për fat erdhi shumë shpejt”, ka thënë Petroviqi.

Por, një tjetër version ka dhënë Lista Serbe, ku e ka përfshirë edhe telefonin e Petroviqit, me të cilin, sipas kësaj partie, ai e ka goditur Milan Kostiqin.

Kjo shihet edhe në pamjet e kamerave të sigurisë në lokalin ku ka ndodhur incidenti, të cilat i ka publikuar Lista Serbe.

Burime të KTV-së kanë bërë të ditur se përveç dy personave që janë shoqëruar, të njëjtën e kanë deklaruar në polici edhe dy dëshmitarë të ngjarjes.

Sulmin ndaj tij, ai e ka lidhur me një fushatë të orkestruar që, sipas tij, e kishte nisur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e po vazhdohet nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Lista Serbe.

Së voni, Petroviqi, partia e të cilit ka marrë nën drejtim Ministrinë e Bujqësisë, i kishte dërguar një letër presidentin serb, Vuçiq, lidhur me ato që i quajti sulme, duke rikujtuar se politikani Oliver Ivanoviq, u vra në rrethana të njëjta.

Gjatë ditës, ndaj këtij rasti kanë reaguar krerët e shtetit, njëherësh duke kërkuar zbardhjen e rrethanave të tij.

16:38

Lista Serbe publikon pamje të përleshjes me Petroviqin

Lista Serbe ka publikuar pamje nga përleshja e pjesëtarëve të saj me kryetarin e partisë SLS, Sllobodan Petroviq.

Në Facebook, kjo parti ka thënë se ky është “incizimi i sulmit të Petroviqit ndaj anëtarit tonë, sot në Prishtinë”.

Gjatë ditës, të dy palët kishin akuzuar njëra-tjetrën për sulmin.

12:55

Akuzën e Listës Serbe se e sulmoi Kostiqin, Petroviqi e quan “gënjeshtër”

Ndërkaq, Lista Serbe, përmes një komunikate dërguar mediave, ka fajësuar presidentin e Partisë së Pavarur Liberale serbe (SLS), Sllobodan Petroviq, për sulm ndaj anëtarit të Listës, Milan Kostiq.

Në njoftimin për media, Lista Serbe thekson se Kostiqi, “pa kurrfarë provokimi, në një restorant në Prishtinë, është sulmuar nga Sllobodan Petroviqi i cili, me fjalë të gabueshme, Kostiqin e ka goditur në kokë me telefon celular dhe i ka shkaktuar lëndime”.

“Duke shokuar të gjithë, Sllobodan Petroviq pas kësaj është ulur dhe ka porositur pije”, thuhet në njoftimin për media, dhe shtohet se Kostiqi menjëherë e ka telefonuar Policinë e cila e ka arrestuar Petroviqin, ndërsa nga Kostiqi ka kërkuar që të japë deklaratë për tërë ngjarjen, raporton Koha.net.

Lista Serbe deklaron se me rastin e arrestimit të Petroviqit, funksionari i lartë i partisë së tij, Boban Stankoviq, në prani të policisë, në llogari të Kostiqit ka lëshuar kërcënime të rënda.

Lista Serbe kërkon nga Policia dhe prokuroria të ndërmarrin të gjitha punët e duhura në mënyrë që Petroviqi dhe Stankoviqi të ndiqen penalisht dhe të dënohen sepse, siç theksohet në komunikatë, “sjellje e tillë është e papranueshme”.

Ndërkaq, Petroviqi, tërë këtë reagim të Listës Serbe e ka quajtur gënjeshtër.

“Kjo nuk është hera e parë që gënjejnë”, potencoi ai.

12:31

Petroviqi rrëfen ngjarjen e sotme, thotë se u sulmua nga ish-këshilltari i Rikallos

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicës serbe, Sllobodan Petroviq, në një konferencë për media, ka treguar për rastin e ndodhur gjatë ditës së sotme ku raportohet të jetë përleshur me dy persona tjerë.

Petroviqi thotë se si deputet i Kuvendit dhe kryetar i SLS-së, “u sulmova fizikisht afër kësaj ndërtese (Kuvendit) pasi që edhe ju e dini që ditëve të fundit, ndaj meje dhe partisë sime zhvillohet një fushatë e orkestruar”.

“Arsyeja është se unë tash e 15 vjet udhëheq me një parti që promovon paqen, tolerancën e bashkëjetesën. E dini që javën e kaluar i jam drejtuar me një letër presidentit (të Serbisë, Aleksandar) Vuçiq, disa herë më ka përmendur mua dhe punën time, dhe ka pas insinuata të pavërteta për punën time. Pra, në letrën e hapur që ia kam dërguar, kam thënë se është sulm i hapur ndaj meje. E kemi përvojën e hidhur, vrasjen e (politikanit serb të Kosovës, Oliver) Ivanoviqit, për rrethana të njëjta. Më tepër e kam lutur presidentin, që para se të dalë me deklarata të tilla, t’i verifikojë mirë ato fakte. Sepse ai është thirrur në burimet që i ka, dhe me atë shkresë i kam argumentuar se nuk qëndrojnë”, ka thënë Petroviqi, raporton KTV.

Pas asaj letre, Vuçiqi nuk është dëgjuar, thotë Petroviqi, por thotë se ka pasur veprime nga Lista Serbe, “që janë udhëhequr nga drejtori o zyrës serbe për Kosovën, z. (Marko) Gjuriq, dhe të gjitha janë të pavërteta”.

“Kam kërkuar të mos veprohet ashtu, sepse rrezikohen familja”, theksoi politikani serb i Kosovës.

Ai ka treguar se si gjatë një emisioni televiziv gjatë ditës së sotme ka paraqitur, siç thotë ai, disa të dhëna për ish-Ministrin e bujqësisë, Nenad Rikallo.

“E them këtë sepse personi që më sulmoi ishte këshilltar i Rikallos. Para pak kohe shkova të pija një kafe në një restorant, dhe aty ishte Milan Kostiqi, që për të gjithë komunitetin serb njihet për keq, pasi i njëjti në mënyrë të pandërprerë, në çdo mënyrë është munduar të më diskreditoj mua dhe partinë time, duke shkruar tekste të rrejshme. Kjo nuk i mjaftoi, por edhe në mënyrë fizike i ka kërcënuar njerëzit në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo ditë ka shëtitur në Graçanicë dhe i ka kërcënuar ata që kanë lidhje me SLS-në”, deklaroi Sllobodan Petroviqi në konferencën për media në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

12:19

Policia konfirmon rastin e përleshjes mes Petroviqit dhe dy të tjerëve

Sot rreth orës 10:30, Policia ka marrë informacionin se në rrugën “Fazli Grajqevci” në Prishtinë, ka ndodhur një mosmarrëveshje në mes të tre personave.

Lidhur me këtë rast, Policia ka shoqëruar në stacionin policor dy persona për të cilët ekziston dyshimi se mund të jenë të përfshirë në rastin në fjalë, raporton KTV.

Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.

Aktualisht në koordinim me prokurorin e shtetit po kryhen veprimet e fazës fillestare hetimore për të proceduar më tej në fazat e tjera.

11:38

Sllobodan Petroviqi përleshet me dy pjesëtarë të Listës Serbe në Prishtinë

Kryetari i partisë SLS, Sllbodan Petroviq, derisa po bëhej gati të mbante një konferencë për media, është përleshur me dy pjesëtarë të Listës Serbe.

Përleshja, siç mëson KTV-ja, ka ndodhur në një restorant afër ndërtesë së Qeverisë së Kosovës.

KTV-ja mëson se anëtarët e Listës Serbe, me të cilët është përleshur Petroviqi, janë Milan Kostiq dhe Nenad Miliceviq.

Këta dy të fundit kanë deklaruar në Polici se janë sulmuar nga Petroviqi.