Bekim Kupina
Në fillim të vitit të dytë qeverisës krerët e 26 komunave kosovare kanë realizuar premtime kryesisht në sferën e infrastrukturës.
Në një intervistë për “Koha Ditore”, drejtoresha ekzekutive e Institutit GAP, Nora Latifi - Jashari ka bërë të ditur se në këto komuna kryetarët kanë dhënë 903 premtime.
Në këtë kontekst, ajo ka sqaruar se në vitin e parë të mandatit, plotësisht të përmbushura dalin 171 premtime, pjesërisht të përmbushura janë 89 premtime, kanë filluar të përmbushen 344 premtime, ndërsa akoma nuk kanë filluar së përmbushuri 299 premtime.
Sipas drejtoreshës së GAP-it, fushat ku komunat kanë më së shumti vështirësi në përmbushjen e premtimeve lidhen me ekonominë, urbanizimin dhe projektet që lidhen me partneritetet publiko-privat.
Te fusha e ekonomisë janë dhënë premtime që kanë të bëjnë me hapjen e vendeve të lira të punës, rritjen e investimeve nga diaspora, përkrahjen e bizneseve me grante, subvencionimin e kamatave bankare që ofrohen për hapjen e bizneseve, heqja ose ulja e taksave.
Por asnjë nga këto premtime nuk figurojnë as në listën e projekteve të nisura. Sipas saj, në 10 komuna të Kosovës ku jeton minoriteti serb nuk ka pasur fushatë zgjedhore.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Mamushë, të banuar nga minoriteti turk. Kurse në Skenderaj, kryetari i saj ka zhvilluar takime elektorale, porse nuk ka prezantuar program zgjedhor. Më tej, Latifi-Jashari ka thënë se komunat janë treguar të ngathëta në grumbullimin e të hyrave vetjake, ndërkohë që kanë krijuar varësi të madhe nga buxheti qendror.
KD: Premtimet e subjekteve politike gjatë fushatave zgjedhore shpesh janë joracionale. Tash kur ato janë në pushtet ekziston tendenca e shfajësimit duke u fshehur pas trashëgimisë së pushteteve paraprake apo edhe kufizimeve eventuale ligjore. Ka 2 mandate që Instituti GAP monitoron zbatimin e këtyre premtimeve. Në vitin e dytë të qeverisjes, cila është gjendja?
Latifi-Jashari: Në Institutin GAP angazhohemi në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në nivel lokal dhe njëkohësisht punojmë në avancimin e legjislacionit dhe strategjive lokale. Puna që bën Instituti GAP në lidhje me premtimet zgjedhore të nivelit lokal ka tri qëllime.
Qëllimi i parë është që kandidatët që fitojnë pozitën e kryetarëve të komunave t’i mbajmë përgjegjës për premtimet dhe programin e tyre; qëllimi i dytë është që të rrisim vetëdijen e kandidatëve që synojnë pozitën e kryetarëve që ata të japin premtime e të bëjnë planifikime në kuadër të kompetencave që u takojnë dhe në përputhje me mundësitë buxhetore dhe ato ligjore, dhe qëllimi i tretë ka të bëjë me vlerësimin se sa premtimet zgjedhore po përmbushen gjatë mandatit të kandidatëve fitues të zgjedhjeve.....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)