Arbëri

Mehmeti: Konsumatorët ankohen kryesisht për regjistrin e kredive

Sot në ditën ndërkombëtare të konsumatorit, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti foli për rolin e BQK-së në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.

Mehmeti tha se gjatë këtyre 20 viteve, ky institucion ka ndikuar që vendi të ketë një sistem financiar modern i cili me shumë sukses po realizon rolin e tij të ndërmjetësimit financiar në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

Ai në Express Intervistën në KTV tha se janë rritur edhe kërkesat për kredi.

“Tani norma e interesit është 6.3 për qind. Pritjet tona si BQK është të rriten frekuencat’, tha ai, duke pritur edhe reflektim pozitiv në ulje të interesit.

Faktori që ka ndikuar në ulje të interesit, sipas Mehmetit, është edhe aktivizimi i përmbaruesve privat.

Ai gjithashtu se “Bankat në Kosovë janë mirë të kapitalizuara dhe janë likuide”.

Ka thënë se edhe institucionet mikrofinanciare kanë rritur punën dhe efikasitetin.

Sipas Mehmetit, për sa i përket konsumatorëve, po punojnë shumë edhe në ankesat që ata parashtrojnë.

“BQK-ja po punon në ankesat e qytetarëve. Kemi konsideratë kundrejt atyre financiare. Rreth 532 ankesa i përkasin institucioneve financiare, një tjetër atyre të sigurisë”, tha ai.

Ai tha se vetëm rreth 500 ankesa kanë kaluar tek Banka Qendrore.

Ankesat kryesore të konsumatorëve, tha ai, diku rreth 66 për qind e ankesave, kanë të bëjnë me kredi, apo siç tha ai, regjistrin e kredive.

Fehmi Mehmeti ka thënë se sektori bankar i Kosovës, në vitet e fundit ka rritur në masë të konsiderueshme rolin e tij në financimin e rritjes ekonomike në vend dhe se ky zhvillim pozitiv ka sjellë përmirësime të vazhdueshme në qasjen në financa, e cila për një kohë të gjatë është raportuar nga bizneset si njëra ndër barrierat kryesore për zhvillimin e afarizmit të tyre.

Ndërkaq, në fund tha se janë edhe dy banka të reja që shpejt priten të nisin punën në Kosovë.