Thaçi dënon sulmin terrorist në Zelandën e Re Foto: Reuters

Pacolli: Sulm makabër terrorist

15 March 2019 10:11
14:45

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka shprehur trishtimin e tij për sulmin terrorist që ndodhi sot në Zelandën e Re.

“I trishtuar nga sulmi makabër terrorist në namazin e së premtes në Christchurch. Mendimet tona sot janë me Zelandën e Re, dhe në veçanti me familjet dhe miqtë e viktimave”, ka ngushëlluar Pacolli.

Nga dy sulme në dy xhami në qytetin Christchurch të Zelandës së Re kanë mbetur të vdekur 49 persona ndërsa numri mund të shtohet, pasi raportohet edhe për dhjetëra të tjerë të plagosur rëndë.

Ngushëllime kanë shprehur edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e partiakë të Kosovës.

11:53

Veseli: Akti terrorist në Zelandën e Re duhet ta bashkoj gjithë botën kundër terrorizmit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka dënuar ashpër sulmin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë dhjetëra persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Veseli ka thënë se ky akt terrorist i tmerrshëm, goditi jo vetëm Zelandën e Re, por gjithë botën e lirë e demokratike, transmeton Koha.net.

“Kjo ngjarje e dhimbshme na bënë që të jemi më të bashkuar dhe më të vendosur në luftën kundër terrorizmit”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Statusi i plotë i Kadri Veselit:

Sulmi në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë dhjetëra persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, është një akt terrorist i tmerrshëm, që goditi jo vetëm këtë vend, por gjithë botën e lirë e demokratike. Në këto momente të vështira, jemi pranë shtetit të Zelandës së Re dhe familjeve të viktimave. Kjo ngjarje e dhimbshme na bënë që të jemi më të bashkuar dhe më të vendosur në luftën kundër terrorizmit. Republika e Kosovës do të vazhdojë të japë kontributin e saj maksimal e të qëndrojë e vendosur përkrah SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë strategjikë në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit dhe nderon sakrificat e partnerëve që janë në vijën e parë të frontit në këtë luftë.

10:29

Haradinaj: Kosova shpreh dhimbjen për viktimat në Zelandën e Re

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për sulmin në dy xhami në Christchurch, në Zelandën e Re, ku të paktën 49 persona humbën jetën e shumë të tjerë u plagosën.

Në ngushëllimin e Haradinajt thuhet:

Akti terrorist në Zelandë të Re, ku mbeten të vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, cenon vlerat e një vendi të lirë dhe na prekë të gjithëve. Në emër të Qeverisë së Kosovës, shpreh dhimbjen për viktimat njerëzore të kësaj ngjarje të rëndë. Ngushëllime familjeve dhe institucioneve të Zelandës së Re. Terrorizmi, pa marrë parasyshë nga kush vjen, është e keqja më madhore me të cilën duhet të përballemi të gjithë së bashku. Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale.

10:11

Thaçi dënon sulmin terrorist në Zelandën e Re

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka dënuar ashpër sulmin terrorist në dy xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku mbi 40 persona kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë janë plagosur.

“Republika e Kosovës e dënon ashpër aktin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vrarë 40 persona dhe u plagosën 20 të tjerë. Në këto momente të rënda, populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re. Aktet e tilla dëshmojnë për domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës kundër çdo forme të ekstremizmit dhe terrorizmit në botë”, thuhet në ngushëllimin e presidentit Thaçi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme