Kurti: Vuçiqi s’do që të hiqet taksa që të vazhdojë dialogu, por pazari me Thaçin

Kurti: Vuçiqi s’do që të hiqet taksa që të vazhdojë dialogu, por pazari me Thaçin

14 March 2019 19:52

Për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk po kërkon heqjen e tarifës që të fillojë dialogu parimor me Kosovën por që të vazhdojë pazari i tij me Thaçin.

E sipas tij, zyrtarët nga Evropa dhe ShBA-ja, në raport me Kosovën e Serbinë i kanë nga dy kapela.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kurti ka thënë se “Vuçiq e ka kërkuar heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave të Serbisë në Kosovë”.

“Diplomatë e politikanë të ndryshëm ndërkombëtarë që kërkojnë të njëjtën gjë, vetëm sa e transmetojnë kërkesën e Presidentit të Serbisë ndaj Kosovës. E kuptueshme, sepse ata janë ndërmjetës të diplomacisë fluturuese midis Kosovës dhe Serbisë. Në Prishtinë na i thonë kërkesat e Beogradit, ndërsa në Beograd ua thonë kërkesat tona (kur ka të tilla). Zyrtarët nga Evropa dhe ShBA-ja tash i kanë nga dy kapela, sikurse dikur Pieter Feith në Kosovë, edhe Përfaqësues Civil Ndërkombëtar që na e njihte pavarësinë, edhe Përfaqësues Special i BE-së që nuk na e njihte pavarësinë! Të gjithë ata janë bërë Pieter Feitha tani: njëra kapelë (bilaterale) është e shtetit të tyre që na e ka njohur pavarësinë e shtetit tonë, kurse kapela tjetër (multilaterale) është ajo e ndërmjetësit të jashtëm që vjen me porositë e palës tjetër. Nuk duhet t’i ngatërrojmë në mendjen tonë kapelat e tyre”, ka thënë Kurti.

Së dyti, ka shkruar ai, Vuçiqi nuk po kërkon heqjen e tarifës që të fillojë dialogu parimor me Kosovën por që të vazhdojë pazari i tij me Thaçin. “‘Razgraniçenje’ quhet projekti i Beogradit për ndarjen e Kosovës e që s’realizohet dot pa presidentin e Kosovës. Prandaj, le të mos shtiremi se nuk e dimë se çka do të ndodhë menjëherë pas heqjes apo pezullimit të tarifës: takimi në Bruksel, me Thaçin e Vuçiqin, anash, ndërkaq Mogherini në mes dhe në ballë, në zyrën e kësaj të fundit”, ka thënë Kurti, përcjell Koha.net. “Natyrisht që nuk është dashur të ketë tarifë mallrash por reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, ama tash nuk bën të hiqet tarifa. Ai do të ishte kapitullim: nënshtrim i Kosovës së pavarur ndaj shtetit të Serbisë dhe dorëzim i shtetësisë e territorit të Kosovës në pazarin Vuçiq-Thaçi”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme