Kreu i Kuvendit të Japonisë, i impresionuar me Nënë Terezën dhe me xhudon e Kosovës

Kreu i Kuvendit të Japonisë, i impresionuar me Nënë Terezën dhe me xhudon e Kosovës

13 March 2019 10:50

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në ditën e parë të vizitës së tij në Tokio, u prit në takim nga Oshima Tadamori, kryetar i Parlamentit të Japonisë, ku temë kryesore e takimit ishte thellimi i bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e ekonomisë.

Veseli falënderoi homologun Tadamori për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë qeveria japoneze për Kosovën, që nga përfundimi i luftës e deri më tani.

Ai bëri një ekspoze të zhvillimeve të fundit në Kosovë, me theks të veçant në mundësitë që ofron ekonomia kosovare për projekte investive nga kompanitë japoneze, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit.

“Vendi juaj, me modelin e zhvillimit që përfaqëson, është model frymëzues për të rinjtë tanë që duan ti përkushtohen inovacionit e ndërrmarrësisë”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit po ashtu theksoi se Kosova si shtet i ri dhe demokraci e re, ndihet mirë që një vend mik si Japonia është në mbështetje të synimeve të saj.

Kryetari i Parlamentit të Japonisë, Tadamori, nga ana e tij theksoi se shteti japonez vazhdon të jetë i përkushtuar në thellimin e marrëdhënieve me Kosovën, në të gjitha fushat ku ekzistojnë mundësitë, sidomos në investimet ekonomike.

Tadamori, siç bën me dije zyra për informim e Kryeparlamentarit të Kosovës, u shpreh se gjithmonë e impresionon figura e humanistes shqiptare Nënë Tereza.

“Misioni i kësaj gruaje të madhe flet shumë për popullin tuaj”, tha Tadamori.

Ai gjithashtu përmendi suksesin kosovar në sportin e xhudos.

“Jeni bërë të pakonkurrencë në xhudo. Pres të triumfoni edhe në Lojërat Olimpike Tokio 2020”, tha kreu i Parlamentit të Japonisë.

Pas takimit me homologun japonez, kryeparlamentari Veseli do të zhvillojë takime me ministra të qeverisë japoneze, përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, por po ashtu do të ketë edhe takime tjera me deputetë e zyrtarë të lartë të shtetit japonez.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Agron14/03/2019 15:52

E te mjeret na ke ja kemi vene perpara Kryeterit te Kuvendit te Japonise!! Fatmiresisht japonezet jane te njohur si teper te sjellshem.

Shto koment

Të ngjashme