Pas pranimit të kërkesës për anëtarësim në Interpol, nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, institucionet e Kosovës zotohen se do të zhvillojnë fushatë lobuese tek ato shtete që vitin e kaluar ishin kundër.
Por njohësit e sigurisë në vend thonë se Kosovës i duhet të ketë stabilitetit politik, unifikim për çështje madhore, lobim efektiv dhe moskrijim të pritjeve joreale.
Zyrtarë nga Ministria e Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme thonë se do të angazhohen maksimalisht që Kosova të jetë pjesë e Interpolit. Këshilltari I ministrit të Jashtëm Behxhet Pacolli, Fatmir Haxholli tha për Radio Kosovën se do të përfillin mësimet e nxjerra nga e kaluara, në rastin e Interpolit:
Do të merret e gjithë dosja, do të përcillet dhe analizohet me kujdes. Ne duhet të shohim edhe ndërlidhjen e këtij procesi me procese të tjera, por duhet të provojmë të lobojmë fuqishëm në fushat ku shihen se janë në interes strategjik për Kosovën. Për momentin disponimi është për të lobuar fuqishëm për anëtarësimin në Interpol, nuk është proces lehtë as nuk ka iluzione se epilogu është i garantuar, por ne do të mësohemi se në të bërit politikë të jashtme dhe diplomaci , është një arenë e përpjekjeve të vazhdueshme për afirmim, ka thënë Haxholli .
Edhe Mentor Tahiri, shef i kabinetit dhe këshilltar i lartë politik i ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa tha se do të bëhet lobim sidomos tek ato vende që kanë votuar kundër Kosovës për hyrje në Interpol:
“Republika e Kosovës do të zhvillojnë një fushatë lobuese në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, vështirësi ka, rreshtimet gjeopolitike të shteteve në pjesën më të madhe nuk kanë ndryshuar në raport me qëndrimet e vitit të kaluar. Gjithashtu mjaft shpresëdhënëse është fakti se tek vendet e caktuara që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ka gatishmëri që së paku të mos pengohet anëtarësimi I vendit tonë në mekanizmat global të sigurisë”, ka thënë Tahiri.
Megjithëkëtë zyrtarët thonë se është e pritshme edhe kundërfushata e Serbisë, për të penguar këtë proces. Por Besa Kabashi Ramaj, njohëse e çështjeve të sigurisë, në një prononcim për Radio Kosovën tha se një prej pengesave kryesore në politikën strategjike është mungesa e stabilitetit politik dhe e unifitetit për çështje madhore:
“Lobimi nuk bëhet në mënyrë efektive dhe kjo është dëshmuar disa herë për shkak të mungesës së unifikimit dhe mënyrës se si I kemi adresuar çfarëdo lloj tendence për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, duke u nisur nga fakti se kemi koalicione të gjëra dhe udhëheqësit partiak zakonisht nuk janë në të njëjtën vijë sa i përket mënyrës se si i shtyjmë gjërat përpara në diplomaci”, ka thënë Kabashi - Ramaj.
Kabashi Ramaj thotë se edhe nëse përmbushen gjitha kushtet teknike për anëtarësim në çfarëdo organizate ndërkombëtare, përfshirë edhe Interpolin, kjo nuk është e tëra. Ajo kritikon qeveritë që krijojnë pritje jo reale për qytetarët për interesa të politikave populiste.
"Në këtë rast shumë shpesh janë shfrytëzuar politika strategjike të vendit për të krijuar pritje jo reale dhe për të bërë premtime jo reale me qëllim që të përfitohet politikisht prej situatës. E ajo çfarë ka ndodhur pastaj na është sjellë si bumerang edhe kemi dalë në politikë ndërkombëtare shumë të dështuar", ka shtuar Kabashi - Ramaj.
Ajo thotë se këtu ka të bëjë edhe ndikimi i fuqishëm i Rusisë:
“Nëse ke të bësh më një palë, e cila është jashtëzakonisht e fuqishme në këtë rast, tek rasti I Interpolit ka shumë ndikim edhe Rusia dhe gjeopolitika ka ndryshuar aq shumë sa Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme. Është më mirë që të kemi plane afatgjata qysh të arrihet anëtarësimi sesa të aplikohet çdo vit dhe të refuzohesh, sepse dëmi është shumë më i madh nëse refuzohesh sesa të presësh”.
Kosova po tenton për të gjashtën herë radhazi të hyjë në organizatën më të madhe të policisë në botë – INTERPOL. Asambleja e përgjithshme e Interpolit për këtë vit, do të mbahet në Santiago të Kilit, në muajin nëntor.