Kuvendi mblidhet sërish në seancë të jashtëzakonshme, tash për KQZ-në Foto: Koha

Përfundon seanca e jashtëzakonshme, pa ndonjë rezultat

Valmira Saraçi Sahatçiu 13 March 2019 08:20
12:59

Ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur për bllokadën në KQZ, por pa dalë në votim rezoluta në mungesë kuorumi, raporton KTV.

Sikurse kjo rezolutë, edhe ajo e një dite më parë, do të dalin më votim kur të plotësohen kushtet.

11:10

Shkaku i bllokadës së KQZ-së, Kuvendi ka mbetur me 119 deputetë

Na nisur punimet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e kërkuar nga dy partitë opozitare, LDK e Vetëvendosje, që ka të bëjë me bllokimin e KQZ-së nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

Sami Kurteshi nga VV ka thënë se presidenti ka vepruar kundër Kushtetutës në tentimim e tij për të ndryshuar përbërjen e KQZ-së. Ai tha se janë bërë mbi 90 ditë prej kur partitë kanë dhënë propozimet e tyre për herë të dytë për përbërjen e Anëtarëve të KQZ-së, raporton KTV.

Kurteshi tha se shumë asamblistë kanë mbetur pa marrë mandatin e tyre për shkak të kësaj bllokade si dhe Kuvendi i Kosovës aktualisht ka 119 deputetë. Ai tha se në fund të këtij muaji i përfundon edhe mandati i kryeshefit të KQZ-së.

Deputeti i VV-së ka propozuar rezolutë me vetëm një pikë përmes së cilës Kuvendi kërkon që dekretimi i anëtarëve të KQZ-së të bëhet pa asnjë vonesë sipas Kushtetutës, Ligjit për zgjedhje e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 gushtit 2014.

Ndërkohë, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti tha se mosfunksionimi i KQZ-së ka prodhuar shumë probleme, meqë partitë kanë mbetur pa fondet e partive e punëtorë të angazhuar në parti kanë mbetur pa paga.

Elmi Reçica i PDK-së ndërkohë ka thënë se sa më parë duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së. Ai tha se rezoluta e propozuar është ndërhyrje direkte në kompetencat e Presidentit të Republikës. Reçica tha se PDK-ja më së shumti është dëmtuar nga kjo gjendje meqë kanë një deputet më pak.

Deputeti i PDK-së tha se ka numër të madh edhe të asamblistëve që po e presin zëvendësimin. Sipas tij, ka qenë e qëllimshme bllokada në KQZ nga parti të përfaqësuara aty e ndërkohë kanë marrë paga.

“Seanca e sotme është e panevojshme derisa rezoluta është e papranueshme”, ka thënë Reçica.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje tha se u bënë më shumë se një vit prej kur KQZ-ja po mbahet peng, sipas saj, i interesave ditore. Ajo tha se Presidenti ka keqkuptuar mandatin e tij.

“Ai nuk është i mandatuar të diskutojë për territorin, po të garantojë funksionimin e plotë të institucioneve. Shtrohet pyetja pse po e mban të bllokuar presidenti KQZ-në? Ai po e bën këtë që të sigurojë përkrahjen për pazaret e dëmshme me Serbinë. Ai po mundohet që një pakicë qeveritare e disa të ikur dëshpërimisht e artificialisht t’i bëjë shumicë në KQZ”, ka thënë Haxhiu.

“Ne po e mendojmë që këtë çështje ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese sepse Presidenti e ka obligim të garantojë funksionimin e KQZ-së”, deklaroi Haxhiu.

Shqipe Pantina nga PSD tha se së shpejti do të bëhen jo funksionale edhe shumë borde të tjera për të cilat është përgjegjës Kuvendi.

Ajo tha se pajtohen me një pjesë të rezolutës së propozuar nga dy partitë opozitare por jo edhe me pjesën e fundit ku përmendet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Sipas saj, vetë këto parti e kanë kundërshtuar këtë aktgjykim.

Ajo i ka bërë thirrje Presidentit që të dekretojë anëtarët e KQZ-së.

Bilall Sherifi nga Nisma tha se aktgjykimi i kushtetueses nuk e ka zgjidhur çështjen. Ai tha se PAN-i, nga tre subjekte politike, kanë shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për të krijuar grupe parlamentare e të kërkojnë të drejtën për anëtarë në KQZ.

“Ne kemi të drejtë kushtetuese që të kemi anëtarin tonë në KQZ”, tha Sherifi.

10:37

Nis seanca e jashtëzakonshme për KQZ-në

Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet në seancën e jashtëzakonshme që është ftuar për t’u diskutuar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidenti.

Përfaqësuesit e qeverisë nuk janë të pranishëm në seancë.

Dje gjithashtu është mbajtur seancë e jashtëzakonshme për shpenzimin e buxhetit të paplanifikuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

08:20

Kuvendi mblidhet sërish në seancë të jashtëzakonshme, tash për KQZ-në

Sot prej orës 10:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë të vetmen pikë të rendit të ditës e ka debatin parlamentar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidenti.

Dje është mbajtur seancë e jashtëzakonshme për shpenzimin e buxhetit të paplanifikuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme