Shqetësuese po shihet pandëshkueshmëria e rasteve të korrupsionit në vend. Sipas Betim Musliut, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Kosova po përballet me një sistem të drejtësisë të kapur nga politika.
Në Express Intervistën në KTV, Musliu ka thënë se pas monitorimit të më shumë se 8000 seancave gjyqësore për rastet e korrupsionit është dhënë rezultati se nuk ka asnjë zyrtar të profilit të lartë të dënuar me burgim efektiv për korrupsion.
“Kjo na ka detyruar të themi se sistemi i drejtësisë është i ndikuar nga politika dhe institucionet e drejtësisë janë të kapura. Kjo është thënë edhe në raportet e BE-së. Është shqetësuese, por realitet që duhet të përballemi. Një kerr dru me e vjedh sot e vuan burgun, por assesi për korrupsion të profilit të lartë. Është shqetësuese pandëshkueshmëria që po iu ofrohet zyrtarëve të lartë e atyre brenda sistemit të drejtësisë. Ka policë kaubojë, prokuror, gjyqtarë e politikanë kauboj. Ka shkelje ligjore që përbëjnë vepra penale e sot i ke duke pi kafe, bile ne po jemi një subjekt i kanosjes e kërcënimit sepse po përballesh me shkelës të shumëfishtë e të cilët gëzojnë çdo të drejtë që s’u takon sepse s’ka kush merret me ta”, ka thënë ai.
Sipas Musliut, kategoria më e privilegjuar në shoqërinë kosovare janë prokurorët dhe gjyqtarët, me pagat më të larta në rajon. Ai ka thënë se nëse politika kaq shumë ka investuar në këtë kategori dhe s’ka rezultate a duhet të mendohet se politika i ka blerë këta zyrtarë. Për këtë ka propozuar procesin e vetingut.
“Ligjet s’janë problem për të luftuar korrupsionin, por duhet gjetur njerëzit për t’i respektuar ligjet. Janë të shantazhuar, borxhlinj ndaj politikanëve sepse në emërimin e pozitave kyçe ka gisht politika. Kryeprokurori i Shtetit (Aleksandër Lumezi) është me provim të manipuluar, i shantazhuar nga politika dhe në krye të prokurorit të shtetit s’ka asnjë ndjekje ndaj politikanëve. Janë Lumezët brenda sistemit të drejtësisë që janë problem i vendit. Mënyra si ka vepruar ai ka krijuar një sistem të centralizuar për hetimin e korrupsionit në nivelin e lartë. Ai ka nxjerrë një udhëzim që në secilin rast kur ka të bëjë me profile të larta për korrupsion duhet të shkojë te kryeprokurori e ata të japin leje a duhet apo jo të nisë hetimi. Prokurorët janë të pavarur me kushtetutë e ligj. Edhe në polici janë të njëjtat probleme, sidomos në atë të krimeve ekonomike”, ka thënë më tej Musliu duke shtuar se në polici janë bërë disa ndryshime dhe akoma priten rezultatet e para.
Musliu më tej ka thënë se sipas të dhënave nga monitorimet, duhen tre vjet për trajtimin e një rasti të korrupsionit teksa ka bërë një lidhje mes rastit të dy zyrtarëve në krahasim me dosjen e raportuar të provimit të jurisprudencës së Lumezit. “Ndaj dy zyrtarëve të profilit të ulët është dashur 15 vjet kohë, por kur është dashur të hetohet dosja e Lumezit veç 21 ditë”, ka theksuar ai.
Sipas Musliut, në institucionet e drejtësisë ka shumë individë me integritet, por që s’vijnë në shprehje sepse nuk iu lejohet të vijnë në pozitat kyçe.
“Është njëjtë si me e pas një autobus me djemtë më të mirë e një shofer budalla që i merr në qafë të gjithë. Kjo po ndodh edhe me policinë. Ka frymë të re në polici, dhe ka shpresa për ndryshime pozitive, por deri tash e dimë se ishte një argat i Hashim Thaçit në krye të policisë. Ndërsa në sistemin prokurorial e kemi shoferin shumë të keq që po e fundos sistemin prokuroria duke e kultivuar kulturën e pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë të korruptuar. Duhet ndalur e të thuhet boll më. Këto shkelje s’duhet toleruar e të tregohet vendi ku e kanë. Të bëhet luftë për zbatim të ligjit”, ka përfunduar ai.