Arbëri

Kërkohet zgjidhje për zëvendësimin e orëve të humbura

Descriptive Text

Përfaqësues të Komisionit parlamentar për arsim, kanë ftuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe ministrin Shyqiri Bytyqi, që të merren vesh dhe të gjejnë një zgjidhje rreth zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës.

Kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi ka thënë se ditëve të fundit është krijuar një kaos në shkolla ku pjesa më e madhe e tyre nuk po i zëvendësojnë orët por vetëm një numër i vogël, raporton Koha Ditore.

"Është krijuar një kaos në arsim, disa shkolla po mbajnë mësim disa jo. Dikush duhet të përgjigjet për këtë çështje. Sindikata duhet ta shqyrtojë qëndrimin saj dhe të kompensohen orët", ka theksuar Kurteshi gjatë mbledhjes së komisionit të mbajtur sot.

Ndërkaq, nënkryetarja e komisionit, Teuta Haxhiu ka theksuar se mësimdhënësit kanë vullnet për t’i zëvendësuar orët por problemi qëndron tek SBASHK-u.

"SBASHK-u duhet të dalë me një qëndrim unik dhe mos të kemi këso laramani që disa shkolla t’i zëvendësojnë orët e disa jo", ka shtuar ajo.

Komisioni në fund ka vendosur që të premten ta ftojnë ministrin Shyqiri Bytyqi dhe kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj për ta gjetur një zgjidhje për orët e humbura.