Arbëri

Gjykata s’ka datë për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor në rastin e njohur si “Pronto”

Kanë kaluar më shumë se tre muaj qëkur ka nisur shqyrtimi fillestar për rastin më të përfolur, i njohur si “Pronto”, ku janë të përfshirë ministra e deputetë të PDK-së.

Gjykata ende është duke shqyrtuar nëse do ta aprovojë aktakuzën, gjë që pastaj mundëson fillimin e gjykimit, raporton KTV.

Por, në këtë proces gjyqësor, ekziston edhe një kontest.

Qysh në seancën e dytë gjyqësore, prokurorja Drita Hajdari kishte kërkuar hetim disiplinor për shkelje të etikës nga ana e gjyqtarit Shashivar Hoti.

Kërkesën, ajo e kishte bërë pasi Gjykata Themelore refuzoi ankesën e saj për përjashtim të gjyqtarit Shashivar Hoti nga ky proces.

Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy muaj, Zyra e Prokurorit Disiplinor ende është duke e hetuar lëndën.

Për shkak të hetimeve, Zyra për Media e ZPD-së nuk ka pranuar të japë më shumë informacione.

KTV-ja ka kontaktuar me Prokuroren Speciale Drita Hajdari, e cila ka thënë se hetimi ndaj gjyqtarit Hoti nuk mund të ndikojë në vazhdimin e seancës gjyqësore në rastin “Pronto”.

Por, avokatët mbrojtës e quajnë të pakuptimtë hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit.

Emrush Kastrati, avokat i Besnik Shurdhajt pret që brenda pak ditësh gjykata të marrë një vendim për këtë aktakuzë.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka treguar se ende janë në fazën e kundërshtimit të provave dhe sapo kjo të përfundojë do të vendoset për hapat e tjerë.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj 11 personave, përfshirë ministrin Besim Beqaj, deputetin Zenun Pajaziti dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Ata akuzohen për shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Kosovës.