Arbëri

VV kërkon nga qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës që të ruajnë shqiptarët në Maqedoni

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar reagimin e policisë së Maqedonisë pas situatës së eskaluar në Kuvendin maqedonas, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit kryeparlamentar.

Vetëvendosje po ashtu ka kërkuar nga qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ruajtur shqiptarët e Maqedonisë.

Ky është reagimi i VV-së:

Me shqetësim të madh po shohim në media ngjarjet që po zhvillohen në Maqedoni.

Falanga proto-fashiste kanë rrethuar e kanë sulmuar parlamentin me thirrje për dhunë ndaj shqiptarëve por edhe ndaj socialdemokratëve maqedonas. Këto protesta siç duket nuk janë hasur në asnjë pengesë policore, siç do të ishte normale në situata të tilla. Pra dhuna është ushtruar me konsensusin e heshtur të policisë.

Deputetët janë marrë peng nga protestuesit, disa prej tyre janë dhunuar, e ndër të cilët mediat raportojnë se është dhunuar rëndë lideri i LR-PDSH, Ziadin Sela. Po ashtu janë dhunuar dhe gazetarët e qytetarë të ndryshëm.

Lëvizja VETËVENDOSJE shpreson që z. Sela tashmë të jetë jashtë rrezikut, dhe që gjendja e përgjithshme në Maqedoni të mos shkojë drejt një grushti të shtetit apo drejt një konflikti të dhunshëm qytetar apo etnik. Dhuna ndaj shqiptarëve në Maqedoni është dhunë ndaj cilitdo shqiptari edhe në Shqipëri a Kosovë, ndaj ajo duhet ndalur.

Kjo që po ndodh sot në Maqedoni është rezultat i drejtpërdrejtë i faktit se për hatër të stabilitetit pa drejtësi Gruevski është lejuar vazhdimisht të përdorë retorikë shoviniste e në të njëjtën kohë të vendosë besnikët e vet në pozita të larta e të ulëta në polici, ushtri e administratë publike, duke kapur shtetin. Stabiliteti pa drejtësi kudo e gjithmonë prodhon tirani dhe dhunë. Ndaj në Maqedoni e në vende të tjera të Ballkanit, duhet vendosur në prioritetin e vlerave shtet-formuese drejtësia, e cila është i vetmi themel për demokracinë e për stabilitetin. Drejtësi shovenët, racistët, hajnat e kriminelët nuk mund të sjellin.

Ndërkohë që mbetemi duke përcjellë ngjarjet që ndryshojnë nga çasti në çast, ne i bëjmë thirrje qeverisë së Shqipërisë e të Kosovës që të ndërmarrin hapa të menjëhershme për të ruajtur shqiptarët e Maqedonisë. I bëjmë thirrje edhe faktorëve ndërkombëtarë të mos lejojnë instalimin e një diktature pro-ruse në Maqedoni.