Me ndjeshmërinë e asaj që ndodh përqark nesh, artistët kanë qasjet e tyre individuale. Aktorja Egla Ceno e prekur nga turma që ende i duhet të dalë në protesta, pavarësisht kauzave, ngre shqetësimin, në përmasat e një keqardhjeje të thellë, për rrethanat e krijuara në Shqipëri. Kohë të vështira, janë “shkëndija” për rebelime të forta. Për Eglën pamjet që vijnë nga TV në shtëpitë tona, janë një vuajtje e brendshme. “Unë para disa ditësh, kur pashë në ekranin e TV protestën që u bë, jam këputur fizikisht, jam ndier keq, kam filluar të qaj. M’u kujtua ’97-ta.
Më ka ardhur keq për veten, për brezin pas ’97-ës që është i detyruar të jetojë një gjë të tillë. Më vjen shumë keq që vendi im është akoma në këtë valë.” Shëmbëllimet dhe reflekset e realitetit e përballin aktoren me veten, në kohën kur duhet të ishim në një fazë më të evoluar të zhvillimit të shoqërisë sonë. Përveç indinjatës për kumbimin e protestave, ajo në edicionin e ri të “Dikush” në kanalin e “Youtube” me Anilda Kaçaçin, nuk ka preferuar të thotë shumë nga ato që i konsideron si personale. Pas tentativave të shpeshta të Kaçaçit në studio, aktorja shmanget duke e ruajtur për vete atë që me të drejtë është personale në mënyrë të prerë.
Bukur tregon për një Egla “in personal” se si ajo kërkon të kapë caqe të avancuara të qenies njerëzore në thelb, nivele perceptimi të larta të individëve me të cilët i përball jeta. Ekuacioni është i thjeshtë; ajo pyetet se me kë jeton për të kuptuar iventarin e njerëzve që e rrethojnë, Ceno jep një përgjigje ku thotë shumë, ndërkohë që nuk “nxjerr” gjë: “Jetoj me mamanë, peshkun e kuq….” Në gjithë minutazhin e emisionit “rrëshqet” me vetëdije të plotë, për të mbetur bukur e pazbuluar. Me shfaqe artistike që kanë rezultuara të ndjekura nga publiku, sfidon fort veten së fundmi me “Udha e qumështit” me skenar e regji nga Armand Bora.