Arbëri

Britania kritikon emërimin e Naser Shalës shef të KPCVA-së, O’Connell tërhiqet nga Bordi i kësaj Agjencie

Foto: KDI

Ambasada Britanike në Prishtinë ka shprehur keqardhje për vendimin e Kuvendit të Kosovës për emëruar Naser Shalën si drejtor të Sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (KPCVA).

Mbështetja e Ambasadës Britanike për projektin e Rekrutimit Publik dy herë ka mbështetur procesin e rekrutimit për kreun e kësaj agjencie.

Procesi i parë, sipas njoftimit të Ambasadës, u anulua nga Kuvendi.

“Procesi i dytë, i kryer në një mënyrë transparente dhe meritokratike, identifikoi vetëm një kandidat që i plotësoi kushtet për emërim. Raportet e rekrutimit, të prodhuara nga partneri i implementimit të projektit, u shpërndanë me të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Fatkeqësisht, javën e kaluar Kuvendi dështoi të emëronte të vetmin kandidat të identifikuar që i plotëson kriteret për emërim, dhe në vend të tij emëroi një kandidat që nuk ishte konsideruar i emëruehëm në bazë të vlerësimit profesional”, thotë Ambasada Britanike në reagimin e saj dërguar mediave, raporton Koha.net.

Ky veprim, sipas Ambasadës, është shkelje e pastër e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Ambasadës Britanike dhe Kuvendit të Kosovës.

“Është prerogativë e institucioneve të Kosovës të emërojnë kandidatë të përshtatshëm nga listat e kandidatëve që i plotësojnë kriteret. Megjithatë, me përzgjedhjen e një kandidati që nuk ishte cilësuar i emërueshëm në këtë rast, institucionet kanë treguar jo vetëm mungesë të përkushtimit të zbatimit të projektit tonë të përbashkët, por po ashtu, që është më e rëndësishmja, mungesë të përkushtimit ndaj mandatit dhe punës së KPCVA-së. Vendimi na bën të pyesim nëse shumica e Kuvendit të Kosovës ka vullnetin politik për të zbatuar emërime meritokratike”, ka thënë Ambasada më tej.

Ndërkaq, Ambasada thotë se si rezultat i këtij vendimi fatkeq, “Ambasadori Britanik është tërhequr nga pozita e tij si Shef i Bordit të KPCVA-së”.

“Letra e dorëheqjes së tij i është dërguar Përfaqësuesit Special të BE-së. Ai falënderon lidershipin aktual dhe stafin e KPCVA-së për profesionalizmin e palëkundur dhe përkushtimin gjatë mandatit të tij në bord, dhe u dëshiron atyre dhe organizatës çdo sukses në të ardhmen”, përfundon njoftimin i Ambasadës Britanike në Kosovë.