Arbëri

Haley: Kosova meriton anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Nikki Haley, në fjalimin e saj në OKB, ka thënë se Evropa është kontinent i fuqishëm, me demokraci dhe ekonomi të fortë.

Duke folur për Kosovën, ajo tha se ky vend duhet bërë më shumë për forcimin e qeverisjes e zbatimin e ligjit. Por, tha se Kosova meriton anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara.

“Në Kosovë duhet bërë më shumë për të forcuar qeverisjen dhe zbatimin e ligjit. SHBA-ja beson se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i njohë hapat e mëdhenj të Kosovës që nga pavarësia e saj. Kosova meriton të marrë vendin që i takon në bashkësinë ndërkombëtare të vendeve, përfshirë anëtarësinë e plotë në Kombet e Bashkuara”, ka thënë ajo.

Ajo përmendi Rusinë si faktor që mund ta shkelë territorin e sovranitetin e Ukrainës, e që do ta destabilizonte Evropën.

Por, për këtë çështje, Haley tha se beson në marrëdhënie më të mira të SHBA-së me Rusinë, bashkëpunim që nuk mund të realizohet në kurriz të miqve dhe aleatëve evropianë.

“Kjo është arsyeja përse ne i bëjmë thirrje Rusisë të tregojë përkushtim ndaj paqes, duke zbatuar plotësisht premtimet e saj në marrëveshjen e Minskut, për t’i dhënë fund pushtimit të Krimesë”, tha ambasadorja Haley.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç tha Haley, do të mbeten partneri më i fuqishëm i Evropës, në promovimin e paqes dhe prosperitetit. Dhe do të qëndrojnë krah institucioneve dhe aleancave që e bëjnë botën më të sigurt.