Arbëri

Grupi i qytetarëve “Kosova atdheu ynë” me parulla kundërshtojnë marrëveshjen Kosovë-Serbi

 

Grupi i qytetarëve “Kosova atdheu ynë” nga Lipjani, gjatë së premtes kanë mbuluar të gjitha ulëset në sheshin “Adem Jashari” me parulla të ndryshme për ta kundërshtuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëpërmjet qindra parullave ky grup i qytetarëve ka kundërshtuar gjendja në të cilën ndodhet shteti i Kosovës. Qytetarët më së shumti i kanë lexuar mbishkrimet e vendosura si: “shtet i kapur”, “drejtësia e kapur”, “Kosova nuk ndahet”, “20 vjet mjerim”, “ekonomia e shkatërruar” etj.

Shaip Jashari, përfaqësues i grupit të qytetarëve “Kosova atdheu ynë” me këtë rast ka thënë se secili qytetar që e lexon një nga këto parulla sigurisht se do ta gjejë vetveten sepse këto janë bisedat e qytetarëve të cilat bëhen në shoqëri dhe në çdo ndejë. Sipas tij, nëpërmjet ekspozimit të parullave të shkruara po e shprehin kundërshtimin e qytetarëve për gjendjen e rëndë dhe të rrezikshme në të cilën ndodhet shteti i Kosovës, transmeton Koha Ditore.