Arbëri

Pacolli takon disa nga homologët e tij në Këshillin e Ministrave, diskuton mbi rritjen e bashkëpunimit

Gjatë pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të Republikës së Kosovës në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që ka hapur punimet sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, si vend nikoqir i këtij takimi, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar disa takime me homologë të tij nga shtete të ndryshme, që po marrin pjesë në këtë ngjarje.

Me këtë rast, Pacolli, fillimisht është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Kënaqësi ta takoj mikun tim të mirë, ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, lartmadhërinë e tij, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan dhe të diskutojë me të mbi marrëdhëniet e shkëlqyeshme që gëzojnë Kosova dhe Emiratet e Bashkuara. Ne, do ta forcojmë partneritetin tonë në ekonomi dhe tregti nëpërmjet projekteve konkrete, që do të jenë të dobishme për të dy vendet tona”, ka thënë Pacolli, pas këtij takimi.

Në margjina të sesionit të 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI-it, Pacolli është takuar edhe me homologun e tij nga Somalia, Ahmed Isee Awad, ministrin e jashtëm të Afganistanit, Salahuddin Rabbani, dhe me ministrin e jashtëm të Rumanisë, Teodor Melescanu.


Në vazhdim të pjesëmarrjes së tij në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që ka nisur punimet sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka vazhduar agjendën e tij të ngjeshur edhe në orët e pasdites, me takimet dypalëshe, që ka zhvilluar me ministrin e shtetit për Punë të Jashtme të Arabisë Saudite, Abel Al-Jubeir, ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, Ayman Safadi, dhe zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, Sedat Onal.

“Një diskutim shumë i mirë me Ministrin e shtetit për Punë të Jashtme të Arabisë Saudite, Abel Al-Jubeir. Ne, kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe Arabia Saudite është një partner i besueshëm i Kosovës në qëllimin tonë për tu bërë një anëtar i plotë dhe i barabartë i komunitetit ndërkombëtar. Ne, do ta forcojmë partneritetin tonë”, ka thënë ministri i Jashtëm, Pacolli.

Kryediplomati kosovar, Pacolli, gjatë orëve të paradites kishte zhvilluar takime edhe me homologët e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Afganistani, Somalia dhe Rumania.