Arbëri

Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë më 24 maj, ‘puç’ i Gjinushit

Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e saj dhe organet drejtuese pa u miratuar më parë ligji i ri, statuti dhe rregullorja e re, shkruan "Panorama".

Në krye të kësaj lëvizjeje, profesor Skënder Gjinushi, i cili, i mbështetur nga anëtarët e Asamblesë së Akademisë së Shkencave kanë vendosur që në fund të muajit maj të zhvillohen zgjedhjet. Por ky vendim merret në një kohë që Ministria e Arsimit u ka dërguar universiteteve Projektligjin për Akademinë, Statutin dhe Rregulloren e saj, shoqëruar dhe me platformën e profesor Artan Fugës.

Ministria u kërkon universiteteve që të japin mendime, të bëjnë vërejtje dhe propozime për këtë projektligj. Ky proces do të marrë kohën e duhur, për të shkuar më pas në përmirësimet e duhura që do t’i bëhen ligjit dhe statutit e rregullores. Më pas, projektligji do të dërgohet në Parlament, ku do të marrë kohën e vet të diskutimit, miratimit e më pas hyrjes në fuqi. Duke injoruar këtë procedurë aspak të shkurtër, Asambleja e Akademisë së Shkencave ka vendosur që të zhvillojë zgjedhje për drejtuesit e rinj.

Propozimi

Në mbledhjen e saj më 26 shkurt 2019, Asambleja e Akademisë së Shkencave shprehet se faza e parë e reformimit të Akademisë është përmbyllur me diskutimin e bërë brenda saj, të lirë dhe demokratik, pa presion dhe pa ndikim politik, duke përgatitur dokumentet e nevojshme për reformimin e saj.

“Akademia e Shkencave nuk është më institucioni mbi të cilin bëhej presion për reformim dhe shihej si bllokuese e procesit. Ajo tashmë e ka kryer detyrën e saj për hartimin e projektligjeve përkatëse dhe ka dëshmuar qartazi se ofrohet për bashkëpunim me Këshillin e Ministrave për ta përmbyllur me sukses procesin e reformimit, duke evituar vonesat e mëtejshme dhe duke tejkaluar çdo faktor frenues të këtij procesi”, thuhet në vendimin e Asamblesë së Akademisë.

Sipas saj, “Projektligji për Akademinë e Shkencave u ka rezistuar kritikave dhe garanton organizimin dhe funksionimin e saj sipas standardeve europiane”. Asambleja shprehet se në përfundim të debateve të brendshme u vendos se nuk ishte nevoja për shkrirjen e saj, por për reformim të plotë. “Gjatë këtij procesi u arrit një qëndrim e vlerësim i përbashkët përfundimtar dhe a pakontestueshëm për domosdoshmërinë e vazhdimit të Akademisë së Shkencave për reformimin dhe jo shkrirjen apo shpërndarjen e saj; si dhe morën përgjigje të qartë ligjore përpjekjet për të servirur si reformë praktika të dështuara si ato të vitit 2008”, thuhet në vendimin e Asamblesë.

Zgjedhjet

Asambleja kërkon hartimin e akteve nënligjore për të realizuar reformimin e plotë të saj dhe cakton datën e zhvillimit të zgjedhjeve. “Nëpërmjet akteve nënligjore është plotësisht e mundur të realizohet një reformim i brendshëm në Akademinë e Shkencave në ngritjen e transparencës, të efektivitetit e të mirëfunksionimit të Kryesisë dhe të aparatit administrativ të Akademisë së Shkencave; Akademia e Shkencave vlerëson se për kryerjen e plotë të reformës së saj dhe të kërkimit shkencor në tërësi duhen hedhur hapa që i takojnë fazës së dytë:

Asambleja e Shkencave kryen zgjedhjet brenda afatit 3-mujor të urdhëruar nga ligji dhe ndryshimet në statut, për të legjitimuar dhe normalizuar funksionimin e saj konform ligjit, masë kjo e domosdoshme edhe për të rritur rolin e Akademisë në përfundimin e kryerjes së reformës në kërkimin shkencor dhe për miratimin dhe zbatimin e ligjit për ‘pastrimin’ dhe etikën e kërkimit shkencor”, thuhet në vendim.

Sipas Asamblesë, miratimi i statutit dhe rregullores të realizohet brenda qershorit, ndërsa deri në fund të vitit të largohen dhe akademikët mbi 75 vjeç. “Asambleja e Akademisë së Shkencave me legjitimitet të rikthyer, pas zgjedhjes së Kryesisë miraton statutin e ri dhe rregulloret përkatëse brenda muajit qershor 2019.

Pjesë kryesore e statutit të ri, të cilin Akademia e Shkencave do ta miratojë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe me institucionet e arsimit të lartë, është ajo për procedurat e kriteret për pranimet e reja; Akademia e shkencave shpall vendet vakante që krijohen sipas ligjit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese: vendet që krijohen nga anëtarët që kanë mbushur e mbushin moshën 75 vjeç dhe nga ata që janë ndarë nga jeta; brenda muajit dhjetor të këtij viti bëhen pranimet për 10 anëtarë të rinj dhe brenda vitit 2020 plotësohen vendet e tjera vakante”, thuhet në vendimin e Asamblesë së Akademisë së Shkencave.