Pas vizitës së zyrtarëve nga SHBA-ja, Haradinaj thotë se taksa s’hiqet e Kosova e gatshme për pasoja

Valmira Saraçi Sahatçiu 28 February 2019 19:05

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë përfunduar vizitën e tyre, duke lënë mesazhe të qarta te të gjithë ata që i kanë takuar.

KTV-ja merr vesh se në takimet gjatë ditës, Erath e Berkley kanë thënë se Kosova nuk duhet ta sjellë situatën deri në atë masë sa Amerika ta shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së trupave të veta nga Kosova.

Sipas të njëjtave burime, dy zyrtarët e lartë nga Amerika nuk e përkrahin shkëmbimin e territoreve me Serbinë, por po demarkimin, nëse për këtë ka pajtim mes shteteve.

Zyrtarisht, në një komunikatë, Ambasada amerikane ka thënë se u ka kërkuar liderëve kosovarë heqjen e taksës, sepse kjo e pengon partneritetin me SHBA-në.

“Mysafirët përsëritën mesazhin e tyre nga letra ndërinstitucionale e 11 shkurtit, se taksat në prodhimet e Serbisë dhe Bosnjes janë pengesë në rrugën drejt progresit, e minojnë partneritetin tonë dhe duhet të pezullohen në mënyrë që dialogu me Serbinë të lëvizë përpara. Ata theksuan urgjencën që Kosova të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë dhe rreshtimin SHBA-Kosovë për këtë interes të përbashkët strategjik”, thuhet në komunikatë.

Por, paralajmërimi më i ri nuk e ka lëvizur pozicionin e kryeministrit Haradinaj.

Ai është shprehur i gatshëm që Kosova të paguajë disa pasoja tash, sesa të ketë një marrëveshje që mund të ketë përkrahje ndërkombëtare, por të jetë e dëmshme për Kosovën.

Kryeministri ka thënë se përçarja e brendshme po e shkatërron pozicionin e Kosovës.

Mysafirët amerikanë, këtë të enjte sërish u mblodhën në zyrën e presidentit Hashim Thaçi, por këtë herë me ekipin shtetëror për dialog.

Ky takim, si të gjithë të tjerët, ishte i mbyllur për media, por pas takimit Presidenca ka lëshuar komunikatë për media.

Aty thuhet se të gjithë anëtarët e ekipit shtetëror kanë shprehur gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-së për suspendimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Shpend Ahmetit, si bashkëkryesues i ekipit shtetëror për dialog.

Ai ka shkruar se delegacioni shtetëror nuk është deklaruar për suspendimin e taksës.

“As unë nuk jam deklaruar për suspendimin, as në këto takime dhe as në takime tjera. Kemi folur për arsyeshmërinë e taksës dhe pse ka qenë e nevojshme”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, i mbetet Kosovës të vendosë cili është interesi strategjik, e çfarëdo veprimi që shihet si fitore personale dhe fitore elektorale e dëmton Kosovën dhe pozicionin negociator të saj.

Për Ahmetin, takimi me amerikanët në Presidencë nuk ishte i vetmi.

Ai ka zhvilluar edhe një takim tjetër pas pak minutash, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

Pas një orë takimi, asnjë nga ta nuk ka dashur të deklarohet për media.

Agjenda e dy zyrtarëve të lartë amerikanë ka vazhduar me takimin me opozitën.

Aty ishin tre deputetë të LDK-së, Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku e Arban Abrashi, nga PSD-ja Visar Ymeri, ndërsa nga Alternativa, Ilir Deda.

Por, aty nuk ishin të ftuar përfaqësues të Vetëvendosjes.

Para Prishtinës, zyrtarët e lartë amerikanë e kishin vizituar edhe Beogradin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme