Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka dhënë shenja se anëtari i bordit të Telekomit, Osman Ejupi, mund të shkarkohet për punësimin e katër fëmijëve të tij në këtë ndërmarrje publike.
Në një postim në Facebook, Lluka ka shtuar se “nepotizmi dhe ushtrimi i ndikimit në punësim janë vepra të patolerueshme”.
Ky reagim i Llukës erdhi pas raportimit të KTV-së për punësimin e katër fëmijëve të Ejupit në qershor të vitit 2018.
Për një muaj, anëtari i Bordit punësoi 4 fëmijët e tij në Telekom
“Lidhur me rastin e anëtarit të bordit të Telekomit të Kosovës që, sipas KTV, ka punësuar 4 fëmijët e vet në Telekom brenda 1 muaji: Ne sot kemi kërkuar të vërtetohet kjo informatë dhe nëse del të jetë ashtu, si ministër i linjës do të kërkoj menjëherë shkarkimin e anëtarit të bordit në mbledhjen e ardhshme të qeverisë. Nepotizmi dhe ushtrimi i ndikimit në punësim janë vepra të patolerueshme. Praktika të tilla janë në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike dhe ligjin e punës”, ka shkruar ai.