Arbëri

MSA u ka hapur rrugë prodhimeve të Kosovës në tregun europian, kërkohet cilësi

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në “Konferencën informuese për legjislacionin e produkteve të ndërtimit” theksoi se pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociim dhe hyrjes në fuqi janë hapur rrugë që prodhimet e Republikës së Kosovës të plasohen në tregun evropian.

“Ngritja dhe funksionalizimi i shtyllave të infrastrukturës së cilësisë janë kërkesa të rëndësishme që dalin nga MSA (neni 80), ku Kosova duhet t’i marrë masat e nevojshme në mënyrë që gradualisht të arrijë përputhshmërinë me legjislacionin e BE-së”, u shpreh ministri Shala.

Ai ritheksoi se Kosova ka bërë një hap të madh përpara dhe me miratimin e Ligjit për produktet e ndërtimit, i cili u miratua në nëntor të vitit 2018, e që së shpejti do të hyjë në fuqi, ku do të rregullohen shtyllat e infrastrukturës së cilësisë në fushën e ndërtimit.

Ky ligj, ka thënë ministri Shala, është vetëm një pjesë e procesit më të gjerë të zhvillimit nëpër të cilin duhet të kalojmë.