Haradinaj: Taksa ka dy aspekte – bllokuese e dialogut dhe ndihmesë për arritjen e marrëveshjes me Serbinë Foto: Alban Bujari / ilustrim

Haradinaj: Taksa ka dy aspekte – bllokuese e dialogut dhe ndihmesë për arritjen e marrëveshjes me Serbinë

28 February 2019 12:53

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një dalje para mediave derisa në Kuvend po zhvillohej seanca e rregullt, ka folur për takimin me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley.

Ai ka thënë t’ua ketë shpjeguar argumentet e Kosovës që, siç tha ai, “dialogu duhet të vazhdojë, që duhet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative ligjore në kufijtë ekzistues, por e cila nuk nënkupton një republikë të Millorad Dodikut në Kosovë”.

Kjo gjë, sipas Haradinajt, është interes i të shteteve, edhe i Kosovës edhe i Serbisë.

Ai tha po ashtu se nuk mund të ketë Republikë Serbe në Kosovë, por një Asociacion të komunave serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha po ashtu se marrëveshja gjithëpërfshirëse rregullon tregtinë e lirë Kosovë-Serbi.

I pyetur nëse kërkesa e vazhdueshme e SHBA-së për pezullim të taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës ia ka mbushur mendjen që të ndërmarrë një veprim të tillë, Haradinaj tha:

“Kërkesa e SHBA-së për pezullim të taksës natyrisht se na e mbush mendjen. Janë dy aspekte. Njëra është që taksa të shihet si pengesë për t’u kthyer në dialog. Tjera është si ndihmesë për t’u arritur më shpejtë marrëveshja. Për aq kohë sa tarifa është në fuqi, koha i kushton më shumë Serbisë sesa Kosovës”, tha Haradinaj.

Ai u pyet edhe në lidhje me takimin e presidentit Hashim Thaçi me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, se nëse ai e sheh këtë si paralajmërim për zgjedhje të parakohshme, por Kryeministri tha se s’ka asgjë të keqe nga ky takim.

“Mendoj që takimet, konsultat mes udhëheqësve politikë, janë të mira. Edhe unë bëj takime të vazhdueshme, edhe me zotin Mustafa, me kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, me Shpend Ahmetin e PSD-së, me të partive në koalicion. Mendoj se konsultat janë diçka e mirë që ja vlen”, ka thënë Haradinaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme