Arbëri

Kërkohet ndërhyrje e qeverisë pas lajmit se anëtari i bordit punësoi katër fëmijët e tij në Telekom

Reagime të shumta kanë shkuar në adresë të Osman Ejupit, një nga drejtorët e Bordit të Telekomit, i cili për një muaj punësoi katër fëmijët e tij në këtë ndërmarrje publike.

KTV sonte raportoi se ai në qershor të vitit 2018 punësoi katër fëmijët për dy javë.

Vigan Qorrolli, profesor i Juridikut, ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që qysh sonte të shkarkojë bordin e PTK-së.

“Kryeministër Haradinaj: Shkarkoje qysh sonte bordin e PTK-së dhe instaloje meritën nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar dhe transparent para se të jetë shumë vonë dhe t’i dalë tymi PTK-së. Krimi dhe nepotizmi nuk duhet të jenë vlerë e shoqërisë tonë. Osman Ejupi mund të jetë mjerani i fundit i shoqërisë tonë që i punëson katër fëmijët e tij në institucionin ku dera e politikës e ka futur edhe atë vetë - por përmes shkarkimit të këtij bordi zhvatësish - ju e luftoni pandëshkueshmërinë”, ka shkruar ai, teksa ka shtuar se duhet të shkarkohen “edhe keqpërdoruesit e 11-vjetorit të festimit të pavarësisë, që për një laps kimik kanë paguar trefishin e vlerës së saj të tregut, protokollin e shtetit dhe zhvatësit e tjerë të parasë publike”.

Për një muaj, anëtari i Bordit punësoi 4 fëmijët e tij në Telekom

Ai ka shtuar se nuk është taksa ajo që po shkatërron Kosovën, po “çmendurakët si Osmani e Orhani, që vjedhin ditë e natë me bekim të pastër politik ndër sy dy milionë kosovarëve”. “Ktheje vendimmarrjen dhe hiqi këta faqezi se turpi e kaploi shoqërinë tonë”, ka përfunduar ai.

Ehat Miftaraj, drejtor Institutit të Kosovës për Drejtësi, për rastin e Osman Ejupit ka thënë se “dikujt i bie shiu në kollomoq në pikë të dimrit”

“Me t’u rahatu katër fëmijë në kohë rekord në një kompani publike ku rroga është diku 800 euro, e ku rastësisht edhe pse ti je njëfarë shefi, është njëjtë si me lu loto në Kinë, edhe nga 1.5 miliard lojtar ti të fitosh. Llogaridhënia Zero, Integriteti Zero, Përgjegjësia Zero, Pandëshkueshmëria Full! Kosova përnjëmend është vend i mundësive për dikë. E mjel këtë vend deri në maksimum. E pjesa tjetër e popullit, diku 98 për qind, jetojnë me iu ra loto me ik prej këtij vendi”, ka shkruar ai.

Agron Demi nga Instituti GAP ka renditur “lajmet ditore nga shteti ligjor i Ramush, Kadrushit dhe Aleksandrushit”.

Ka përmendur rastin e seancës së sotme ndaj zëvendëskryeministrit Dardan Gashi e ministrit Endrit Shala për gjuajtjen me armë e deri te punësimi i katër fëmijëve të Osman Ejupit.

“Kemi zëvendëskryeministra e ministra që ‘nuk e dinë’ që është vepër penale me gjuajt me armë, ama e konsiderojnë veten të aftë me udhëheq shtet. Kemi prokurorë që ngritë aktakuzë për gjuajte me armë nga anëtarët e qeverisë, por frikësohet se mos rastësisht gjykata po i dënon e vajëhalli për të, andaj duke mos i lënë asgjë rastit paska kërkuar nga gjykata që mos me i rëndu me naj dënim. Anëtari i Bordit të PTK i paska punësuar katër fëmijët e tij në ndërmarrjen që e udhëheq. Vazhdojmë...”, ka shkruar ai në Facebook.

Nuk kanë munguar as komentet sarkazëm duke e quajtur drejtorin “Osman Telekomaj” e “Babai i vitit”.