Arbëri

SLS-ja e Petroviqit mbron ministren Zhiviq, Lista Serbe i shkon Vuçiqit në Beograd

Ministrja e re serbe e Bujqësisë, Dijana Zhiviq, e cila erdhi në krye të këtij dikasteri pas shkarkimit të Nenad Rikallos, ka marrë mbështetjen e partisë së saj.

Kreu i Partisë së Pavarur Liberale Serbe, Sllobodan Petroviq, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se Zhiviq e ka marrë këtë detyrë me propozim të tij.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili, me rastin e emërimit të Zhiviqit, tha se kryeministri Ramush Haradinaj ka emëruar “serbë privatë”, raporton KTV.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e di se SLS është parti parlamentare tash e 12 vjet. Në vitin e 13, jemi politikisht aktivë në Kosovë dhe është normale të jemi pjesë e qeverisë sikurse viteve të kaluara. Këtu nuk ka arsye të zemërohet dikush”, ka thënë Sllobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale Serbe – SLS.

Ai ka akuzuar Listën Serbe për përhapje të gënjeshtrave të ndryshme ndaj ministres Zhiviq, duke thënë se një gjë e tillë është e turpshme.

E, përfaqësuesit më të lartë të Listës Serbe kanë shkuar në Beograd, për takim me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe shefin e Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq.

Ata kanë thënë se duan të dalin menjëherë nga të gjitha institucionet e Kosovës, por Vuçiqi i ka lutur që të durojnë edhe një muaj e gjysmë.

“Unë i kam lutur përfaqësuesit e serbëve që nuk mund t’u jap përgjigje sot dhe i kam lutur të presin edhe një muaj e gjysmë. Do të takohem ndërkohë me presidentin e Kinës dhe do të flas ose takohem me të tjerë liderë evropianë dhe botërorë, sepse nëse vazhdon kjo ofensivë e madhe e Prishtinës, do të jemi pa rrugëdalje”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiqi, edhe njëherë, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës, e ata që janë aty, sipas tij, duhet të dalin menjëherë.