Arbëri

Haradinaj s’jep shenja të zmbrapsjes nga taksa as pas takimit 2 orësh me zyrtarët amerikanë te Thaçi

Gati dy orë ka zgjatur takimi i liderëve shtetërorë me dy zyrtarët e lartë të administratës së presidentit Donald Trump, John Erath dhe Brad Berkley.

Nikoqir i këtij takimi ishte presidenti Hashim Thaçi, por i pranishëm aty ishte edhe kryeministri Ramush Haradinaj, raporton KTV.

Kreu i ekzekutivit ka dalë i pari nga ky takim, rreth orës 17:30, por ai nuk ka pranuar të flasë para gazetarëve.

“Nesër flasim”, ka thënë ai nga largësi.

Ai ka zgjedhur që të shkruajë në Facebook për këtë takim.

U ka thënë atyre se Kosova është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj dhe se marrëveshja duhet t’i njohë kufijtë ekzistues të 17 shkurtit.

“Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Po ashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj nuk ka dhënë shenja zmbrapsjeje sa i përket taksës ndaj Serbisë, teksa ka shkruar se Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në fund, kryeministri ka shkruar se i mbeten besnikë miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, takimi në presidencë ka vazhduar edhe për gati 30 minuta të tjerë pas daljes së kryeministrit, mes presidentit e dy mysafirëve të tij amerikanë, të cilët ishin të shoqëruar nga ambasadori Philip Kosnett.

Rreth orës 18:00, delegacioni amerikan doli nga presidenca, por nuk pranoi të deklarohet për media.

Ndërkohë, përveç diskutimeve për taksën, prania e këtij delegacioni në Kosovë ka të bëjë edhe me marrëveshjen finale me Serbinë.

KTV-ja merr vesh se ata nuk do të largohen nga Kosova, sepse do të zhvillojnë takime edhe të enjten.

Takime do të kenë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si parti në opozitë, por jo edhe me Vetëvendosjen.